Banka e Shqipërisë i kërkon qeverisë të reformojë skemën e pensioneve, të shpërndajë shpenzimet më barabartë gjatë vitit dhe të jetë e kujdesshme me borxhin. Zëvendësguvernatorja Natasha Ahmetaj tha në Komisionin e Ekonomisë se plakja e popullsisë dhe emigracioni po e bëjnë më të vështirë financimin e pensioneve.
Reformimi i skemës së pensioneve, shpenzimi më i mirë i parave publike dhe kujdesi ndaj borxhit janë tre rekomandimet që Banka e Shqipërisë ia drejton qeverisë për projektbuxhetin e vitit 2027. Ky projektbuxhet është në vlerën 976 miliardë lekë, ose rreth 10.7 miliardë euro. Në Komisionin e Ekonomisë, Ahmetaj kërkoi që paratë e shtetit të përdoren në mënyrë më të planifikuar, duke shmangur përqendrimin e shpenzimeve dhe investimeve në periudha të caktuara të vitit.
“Banka e Shqipërisë nënvizon nevojën për një planifikim dhe realizim më të njëtrajtshëm të shpenzimeve buxhetore, e sidomos të investimeve, gjatë vitit. Kjo praktikë do të mundësonte përdorimin më efikas të burimeve publike”, tha ajo.
Pensionet dhe demografia
Banka e Shqipërisë paralajmëron se emigracioni dhe plakja e popullsisë po e vështirësojnë financimin e skemës së pensioneve.
“Tendencat e pafavorshme demografike, si emigracioni, plakja e popullsisë dhe rënia e popullsisë në moshë pune, pritet të rrisin presionet mbi skemat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, duke thelluar sfidat për qëndrueshmërinë e financave publike. Kjo nënvizon rëndësinë e reformave. Në këtë kontekst, BSH inkurajon reformimin e sistemit të pensioneve, i cili synon të krijojë një ekuilibër të qëndrueshëm midis përfitimeve dhe kapacitetit financiar të skemës. Vlerësojmë shqyrtimin e mundësive për përshtatjen e skemës publike, zgjerimin e bazës së kontribuuesve dhe zgjerimin e skemave plotësuese. Është e nevojshme përfshirja e statistikave demografike për planifikimin fiskal”, theksoi ajo.
Borxhi publik dhe rreziqet fiskale
Sugjerimi i tretë lidhet me kujdesin ndaj borxhit publik. Banka e Shqipërisë kërkon që qeveria të marrë parasysh rreziqet që mund t’i sjellin ekonomisë ndryshimet dhe rritja e kostove të huamarrjes, në mënyrë që të shmangen vështirësitë në financimin e buxhetit.
“Përmirësimi i administrimit të rreziqeve fiskale. Në një mjedis ekonomik të karakterizuar nga pasiguria, forcimi i mekanizmave për identifikimin dhe administrimin e rreziqeve është i rëndësishëm. Duhet t’i kushtohet vëmendje kostove të borxhit apo të financimit.
Ne gjykojmë se duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë ndikimit që mund të kenë mbi treguesit buxhetorë dhe trajektoren e borxhit publik, zhvillimeve më pak të favorshme ekonomike dhe ndryshimeve në kushtet e financimit”, vazhdoi zv.guvernatorja.
Pavarësisht këtyre sugjerimeve, Banka e Shqipërisë e vlerëson pozitivisht projektbuxhetin e vitit 2027, duke theksuar se ai ruan qëndrueshmërinë e financave publike dhe krijon mundësi për investime.
Burimi: shqiptarja.com










