Strategjia për krerët e UÇK-së
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që institucionet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë hartimit të strategjisë që do t’i shërbejë krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në shkallën e apelit në Hagë. Informacionin e raporton Ekonomia Online.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Haxhiu ka njoftuar se Qeveria e Kosovës ka formuar grupin punues për hartimin e kësaj strategjie. Ajo ka theksuar nevojën për seriozitet dhe profesionalizëm gjatë gjithë këtij procesi.
“Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë ka formuar grupin punues për hartimin e strategjisë. Unë gjithmonë kam kërkuar që vëmendja dhe përqendrimi ynë të kalojnë te kjo strategji, e cila duhet të përpilohet në mënyrë që t’i shërbejë krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në shkallën e apelit. Pra, kam kërkuar vëmendje, seriozitet dhe profesionalizëm, që puna jonë të përqendrohet pikërisht te kjo strategji”, tha ajo.
Ligji i kthyer në Kuvend
Lidhur me ligjin e kthyer në Kuvend, Haxhiu ka thënë se ai është dërguar në Komisionin për Legjislacion, i cili ka katër javë kohë për ta trajtuar.
Ajo ka njoftuar se do të takohet me kryetarin e këtij komisioni për të diskutuar procedurën që duhet ndjekur. Sipas saj, juristët kanë dy interpretime për mundësinë e ndryshimit të ligjit pas kthimit për leximin e tretë.
“Lidhur me ligjin, e kam dërguar kthimin e tij në Komisionin për Legjislacion, që ka katër javë kohë. Sot do të takoj kryetarin e komisionit për të parë qëndrimet e komisionit në këtë drejtim. Dua t’ju informoj se juristët kanë dy interpretime. Një grup thekson se pas kthimit të ligjit për leximin e tretë, vendimi mbetet vetëm ta votojmë ose ta mos e votojmë. Grupi tjetër thotë se mund të bëhen ndryshime. Është në dorë të Komisionit për Legjislacion ta trajtojë këtë çështje. Ju e dini që kam pasur një deklarim për këtë, por deklarimi im bazohet vetëm në një gjykim të Gjykatës Kushtetuese, në rastin e presidentes Atifete Jahjaga”, tha ajo.
Burimi: pressonline.al










