Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Ushtria izraelite tërhiqet nga Hebroni pas një jave operacioni

Ushtria izraelite tërhiqet nga Hebroni pas një jave operacioni
Foto: reporteri.al

Tërheqja e ushtrisë izraelite nga Hebroni

RAMALLAH, 2 nëntor (ATSH-DPA) – Ushtria izraelite po largohet nga qyteti i Hebronit, në Bregun Perëndimor, më shumë se një javë pasi filloi operacioni ushtarak. Këtë njoftoi sot guvernatori i qytetit, Khaled Dudin.

Ai tha se forcat e sigurisë palestineze e kanë rimarrë plotësisht kontrollin e zonës dhe se rreth 3 300 banorë, që u detyruan t’i lënë shtëpitë gjatë operacionit, mund të kthehen.

Sipas guvernatorit, një pjesë e madhe e banesave është shkatërruar. Autoritetet paralajmëruan se do të merren masa të menjëhershme për rindërtimin e tyre.

Sfondi i operacionit ushtarak

Operacioni ushtarak izraelit filloi pasi dy palestinezë nga Hebroni vranë dy ushtarë izraelitë dhe plagosën tre të tjerë. Edhe dy personat e dyshuar për sulmin u vranë.

Ushtria izraelite e përshkroi ndërhyrjen si operacion kundër terrorizmit.

Gjatë ditëve të fundit, sipas saj, u arrestuan disa persona të dyshuar dhe u sekuestruan armë.

Ushtarët kontrolluan gjithashtu qindra banesa, ndërsa qyteti u izolua nga pjesa tjetër e zonës.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) raportoi se më shumë se 3 000 persona u detyruan të largoheshin nga banesat e tyre dhe se gjatë operacionit u shkatërruan shtëpi dhe dyqane. Shumica e të zhvendosurve gjetën strehim te të afërmit.

Sipas OKB-së, disa ushtarë izraelitë përdorën gjithashtu ndërtesa banimi si pika ushtarake.

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha