Kryeministri i Belgjikës, Bart De Wever, u paraqit të hënën në mëngjes në Pallatin Mbretëror, ku i dorëzoi dorëheqjen mbretit Philippe, pas dështimit të negociatave për buxhetin e vendit.
Mediat e huaja raportojnë se bisedimet e zhvilluara gjatë natës me anëtarët kryesorë të qeverisë nuk arritën të sjellin një marrëveshje për masat financiare, gjë që e shtyu kryeministrin drejt këtij vendimi.
De Wever qëndroi rreth një orë e gjysmë në takimin me mbretin Philippe. Pas largimit nga pallati, ai nuk pranoi të bënte deklarata për mediat. Ndërkohë, pritet që Pallati Mbretëror të japë një njoftim zyrtar lidhur me vendimin e mbretit.
Ministri i Jashtëm belg, Maxime Prévot, konfirmoi se negociatat ishin ngecur për shkak të shumë mosmarrëveshjeve mes partnerëve të koalicionit.
“Ka shumë pika ku nuk biem dakord. Nëse do t’i radhitja të gjitha, do të më duhej një përjetësi”, deklaroi ai për mediat belge.
Buxheti dhe deficiti
Qeveria belge duhet të gjejë kursime prej 10 miliardë eurosh për t’iu përshtatur rregullave të Bashkimit Evropian mbi disiplinën buxhetore.
Deficiti buxhetor i vendit arriti në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) vitin e kaluar, ndërsa kufiri i lejuar nga rregullat evropiane është 3%.
Ndërkohë, borxhi publik i Belgjikës ka kaluar 735 miliardë euro, që përfaqëson më shumë se 110% të PBB-së, në kohën kur kufiri i caktuar nga Bashkimi Evropian është 60%.
Dështimi për të arritur një marrëveshje ka sjellë edhe rritjen e normave të interesit për obligacionet shtetërore, duke e bërë Belgjikën të përballet me kosto më të larta për shlyerjen e borxhit.
Nëse mbreti Philippe e pranon dorëheqjen, Belgjika mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Megjithatë, mbreti ka edhe mundësinë ta refuzojë atë ose ta mbajë në shqyrtim përpara se të marrë një vendim përfundimtar.
Përplasjet mes partive të koalicionit
Koalicioni qeverisës i udhëhequr nga De Wever përbëhet nga pesë parti: konservatorët e N-VA-së, liberalët e MR-së, centristët e Les Engagés, socialistët e Vooruit dhe kristiandemokratët e CD&V-së.
Marrëveshja për krijimin e këtij koalicioni, e njohur si “Arizona”, u arrit pas 234 ditësh negociatash. Megjithatë, ndasitë politike mes partnerëve vazhdojnë të pengojnë arritjen e një konsensusi për çështjet kryesore ekonomike.
Negociatat e së dielës nxorën në pah përplasjet mes N-VA-së dhe MR-së, nga njëra anë, dhe Vooruit, CD&V-së dhe Les Engagés, nga ana tjetër.
Partitë socialiste dhe centriste kërkojnë që një pjesë e kursimeve, në vlerë prej 1 deri në 1.5 miliardë eurosh, të sigurohet përmes rritjes së taksave për qytetarët me të ardhura të larta. Ndërkaq, partitë konservatore kërkojnë që konsolidimi financiar të realizohet kryesisht përmes uljes së shpenzimeve publike.
Zëvendëskryeministri David Clarinval e fajësoi partinë socialiste Vooruit për dështimin e negociatave, duke theksuar se ajo kishte insistuar në kërkesën për rritjen e taksave.
Nga ana tjetër, Matti Vandemaele, përfaqësues i partisë opozitare Groen, kritikoi kryeministrin De Wever për paaftësinë për t’i bashkuar partnerët e koalicionit rreth një marrëveshjeje të përbashkët.
“Kryeministri De Wever nuk po arrin t’i bëjë palët të gjejnë gjuhën e përbashkët, përveç rastit kur të gjithë pranojnë të ndjekin programin e partisë së tij, N-VA”, u shpreh ai.
Vandemaele shtoi se De Wever e paraqet veten si njeriun e marrëveshjeve të mëdha, por në praktikë po del si kryeministri i bllokimit politik.
Sipas tij, mundësia që Belgjika të detyrohet të mbështetet për të dytin vit radhazi në financimin e përkohshëm mujor të shpenzimeve publike, për shkak të mungesës së një buxheti të miratuar, përbën një dështim të rëndë politik.
Kjo nuk është hera e parë që koalicioni “Arizona” përballet me përçarje gjatë negociatave për buxhetin. Edhe vitin e kaluar, De Wever iu drejtua mbretit pas dështimit të bisedimeve për gjetjen e 10 miliardë eurosh kursime.
Në fillim të nëntorit 2025, kryeministri nuk paraqiti dorëheqjen, por kërkoi zgjatjen e afatit për arritjen e një marrëveshjeje. Mbreti Philippe i dha atëherë 50 ditë kohë shtesë për të kapërcyer mosmarrëveshjet brenda koalicionit.
Burimi: tirananews.al










