Për një brez të tërë shqiptarësh, ajo do të mbetet përherë Dorina, vajza e vogël që fitoi zemrat e publikut në filmin e dashur “Një vonesë e vogël”, në vitin 1982. Megjithatë, pas më shumë se katër dekadash, historia e Juna Tomorrit është shumë më tepër sesa një kujtim i bukur kinematografik.
Kujtimet e xhirimeve në Kinostudio
Në një rrëfim nga Gjermania, Juna rikthehet në fëmijërinë që e lidhi me ekranin, emocionet e xhirimeve në Kinostudio dhe kujtimet e paharrueshme me regjisoren e madhe Xhanfize Keko. Ajo tregon edhe një sekret të provave: pse iu kërkua të mos zbulonte se ishte vajza e aktores Eva Pëllumbi.
Filmi, që nis me një grup fëmijësh të vendosur të urojnë mësuesen e tyre për 7 Marsin, u kthye në një histori që vazhdon të prekë breza të tërë. Për Junën, xhirimet ishin ndër përjetimet më të bukura të fëmijërisë, aq sa, edhe pse ishte pak gjumashe, zgjohej herët vetëm për të shkuar në Kinostudio.
Në shtator të vitit 2023, një fotografi me Gentjan Llekun, që interpretonte Klitin, riktheu papritur vëmendjen te filmi dhe ngjalli nostalgjinë e publikut. Një takim rastësor, një ide e lindur në Gjermani dhe një fotografi që u bë virale i bashkuan sërish Dorinën dhe Klitin, pas shumë vitesh.
Jeta e Junës në Gjermani dhe humbja e nënës
Por çfarë ndodhi me vajzën që dikur shihnim në ekran? Sot, Juna jeton në Aurich të Gjermanisë, ku është administratore e një kompanie, ka ndërtuar familjen e saj dhe ka krijuar një jetë larg kamerave.
Largimi nga Shqipëria në vitin 1990, si adoleshente, nuk ishte zgjedhja e saj. Pas një fillimi të vështirë në emigrim, rikthimi në atdhe në vitin 1993 do t’i sillte jo vetëm mallin për të afërmit, por edhe një përvojë tronditëse, që do ta detyronte të largohej nga Tirana për në Pogradec.
Në këtë rrëfim, Juna ndalet edhe te humbja e nënës së saj, Eva Pellumbit, e cila u nda nga jeta në dhjetor të vitit 2019, në Gjermani. Një artiste që la gjurmë në kinemanë shqiptare dhe në teatrin e kukullave, por, mbi të gjitha, në jetën e së bijës.
Nga kujtimet e një filmi që nuk u harrua kurrë, te emigrimi, frika, sfidat dhe dhimbja e humbjes, Juna Tomorri rrëfen historinë e një vajze që u rrit para syve të publikut, por që jeta e çoi shumë larg ekranit./abcnews.al
Burimi: abcnews.al










