Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Politikë

Spastrimi institucional, propagandë apo reformë e vërtetë?

Spastrimi institucional, propagandë apo reformë e vërtetë?

Ultimatumi i kryeministrit Edi Rama një ditë më parë ka shkaktuar tronditje të madhe në kabinetin e tij qeveritar.

Drejtorët e Përgjithshëm, drejtorët rajonalë dhe lokalë kanë paraqitur dorëheqjen.

Drejtori i Tatimeve, Ilir Binaj, Drejtori i Hekurudhës Shqiptare, Ergys Verdho, Drejtoresha e KESH, Viola Haxhiademi, drejtori i DPSHTRR, Kreshnik Bajraktari, Drejtori i Doganave Besmir Beja, Drejtori i Agjencisë së Trajtimit të Pronave, Valdrin Pjetri, drejtorë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, drejtorë të Ministrisë së Brendshme, drejtorë rajonalë, drejtorët e inspektorateve qendrore dhe lokale, drejtorë të IKMT, e gjithë piramida e drejtuesve nën ministra ka rënë.

Dorëheqjet masive në të gjitha nivelet

Burime për CNA.al theksojnë se më shumë se 90% e drejtuesve në nivel qendror dhe lokal kanë paraqitur dorëheqjen ditën e sotme (e premte) që në orët e para të mëngjesit, ende pa u zbardhur VKM-ja e një dite më parë.

Përmes VKM-së së të enjtes, kryeministri ka rrëzuar një piramidë të tërë drejtuesish që përfshin të gjitha institucionet në vend.

Me këtë lëvizje Rama u ka dhënë mundësinë ministrave të tij të kenë dorëheqjet e të gjithë drejtorëve në sirtar, por edhe drejtorëve të rinj që do emërohen të kenë dorëheqjet e vartësve të tyre në qarqe apo bashki.

Duke parë valën e dorëheqjeve shtrohet pyetja: A ka Rama emra më të mirë se të gjithë këta drejtorë që kanë ikur përmes dorëheqjeve? Sepse bashkë me drejtorët bien edhe sukseset e reklamuara.

A ka Rama një drejtor më të mirë për Tatimet, Doganat, KESH-in, Hekurudhën, Agjencinë e Trajtimit të Pronave, pasi drejtorët aktualë kanë shpallur rezultate spektakolare gjatë punës së tyre?

A janë këto dorëheqje masive një pastrim i administratës nga elementët e papërshtatshëm apo është thjesht propagandë, e cila kthehet më pas në një flluskë?

Është thjesht një spastrim masiv apo do të shihet rast pas rasti, do të kryhen qarkullime dhe do të mbahen të njëjtët njerëz?

A është vala e dorëheqjeve një zgjidhje e ngërçit institucional apo një skemë e kryeministrit për të shuar edhe më tej protestat?

Dhe pyetja më e rëndësishme: A do të pranohen nga të gjithë dorëheqjet apo skenari përfshin ndërhyrje të pjesshme?

Pyetjet mbi qëllimin e vërtetë të dorëheqjeve

Këto pyetje vijnë nga fakti se janë pikërisht këta drejtorë që i mbushin kutitë e votimeve që Edi Rama të ketë mazhorancë dhe të zgjidhet kryeministër.

Ekziston edhe mundësia që dorëheqjet të mos pranohen në bllok. Rasti i disa drejtorëve që janë vendosur prej pak javësh apo muajsh në detyrë, por nëse ndodh që të gjitha kërkesat për dorëheqje të pranohen në bllok, atëherë kemi të bëjmë me reformën më të madhe që është bërë ndonjëherë në shtetin shqiptar në nivelin e tij dytësor drejtues.

Në rast se dorëheqjet nuk pranohen në bllok, kemi të bëjmë thjesht me një lojë të përkohshme sipas variantit hiqja “lenës, verja prenës”.

Burimi: www.cna.al

Të fundit Të gjitha