Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Ekonomi

Tatimet falin borxhet e biznesit, shuhen 453 milionë euro dhe përfitojnë mbi 220 mijë subjekte

Tatimet falin borxhet e biznesit, shuhen 453 milionë euro dhe përfitojnë mbi 220 mijë subjekte

Janë fshirë 453 milionë euro borxhe të vjetra të bizneseve. Administrata Tatimore ka njoftuar se bilanci i përfitimeve nga zbatimi i Ligjit të Faljes vijon të rritet. Deri tani kanë përfituar gjithsej 220 mijë e 455 tatimpagues, ndërsa procesi vazhdon, duke u krijuar tatimpaguesve mundësi për të lehtësuar barrën e detyrimeve të prapambetura.

TVSH-ja dhe tatimi mbi fitimin, borxhet më të mëdha të falura

Sipas të dhënave të administratës tatimore, borxhet më të mëdha të krijuara dhe të falura janë ato të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), me rreth 140.5 milionë euro, të ndjekura nga detyrimet për Tatimin mbi Fitimin, që kapin vlerën e rreth 138.1 milionë eurove.

Një kategori tjetër me peshë në borxhet e falura janë detyrimet nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, me rreth 67 milionë euro, të ndjekura më pas nga tatimi i mbajtur në burim, me rreth 26.8 milionë euro.

Fashat e zbatimit dhe kushtet aktuale

Ligji i faljes u zbatua në disa fasha, ku borxhet më të vjetra se 10 vite u fshinë automatikisht. Ndërkohë, për detyrimet tatimore që i përkasin periudhës 2015–2019, subjekteve iu dha mundësia e pagesës së 50% të detyrimit kryesor dhe, nga ana tjetër, mund të përfitonin fshirjen e 50% të borxhit të mbetur, si dhe faljen e plotë të gjobave dhe kamatëvonesave.

Aktualisht, për të përfituar nga ligji i faljes, bizneset duhet të kryejnë 75% pagesë të principalit brenda datës 31 dhjetor 2026, për të përfituar faljen e 25% të detyrimeve të mbetura dhe të gjitha gjobave e kamatëvonesave.

Skema e faljes fiskale është një nga nismat më të mëdha të ndërmarra vitet e fundit për pastrimin e stokut të detyrimeve të vjetra tatimore dhe për lehtësimin e barrës financiare të bizneseve dhe individëve.

Ligji përjashton nga fshirja e borxheve subjektet që janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale në fushën tatimore, si dhe bizneset që janë në proces hetimi ose gjykimi për vepra të tilla.

Burimi: abcnews.al

Të fundit Të gjitha