Administrata Tatimore pritet që shumë shpejt të mbyllë verifikimin e afro 2 mijë kërkesave për rimbursim të shpenzimeve të arsimit të fëmijëve, të paraqitura përmes DIVA 2025 (Deklarata Vjetore e të Ardhurave Personale).
Burime të Tatimeve i konfirmuan Monitorit se ky është grupi i fundit i kërkesave për përfitimin e kompensimit për arsimin e fëmijëve, pas njohjes së shpenzimeve në DIVA 2025.
Pasi të përfundojë procesi i verifikimit, i cili pritet të mbyllet së shpejti, do të nisë edhe pagesa e shumave të kompensimit.
Procedura, e cila nisi në qershor, është përqendruar në kontrollin e dokumentacionit të aplikantëve, duke përfshirë faturat e fiskalizuara, numrin e fëmijëve dhe të dhënat e llogarive bankare, përpara se të bëhet disbursimi i kompensimit për përfituesit.
Gjatë kësaj periudhe aplikantëve iu dërguan njoftime për plotësimin e dokumentacionit, i cili më pas u verifikua sërish nga administrata tatimore. Bëhet fjalë për individët të cilët, përveç njohjes së shpenzimeve prej 48 mijë lekësh, përfitonin edhe zbritjen e shpenzimeve deri në 100 mijë lekë.
Verifikimi i faturave dhe numrit të fëmijëve
Burime nga administrata tatimore shpjegojnë se shqyrtimi i kërkesave për këtë kategori kërkon më shumë kohë sesa aplikimet e tjera, pasi duhet verifikuar faturat e fiskalizuara që justifikojnë shpenzimet e deklaruara për arsimimin e fëmijëve, si dhe saktësia e numrit të fëmijëve. Tatimet pohojnë se vështirësi të veçanta po shfaqen në verifikimin e numrit IBAN të llogarive bankare dhe të numrit të fëmijëve.
Sipas Tatimeve, për dorëzimin e numrit IBAN shumë individë nuk kanë ndjekur procedurat e kërkuara në sistem, çka kërkon kohë shtesë për administratën tatimore që t’i verifikojë të dhënat me institucionet bankare.
Kjo do të sjellë që për vitin e ardhshëm kërkesat për zbritjen e shpenzimeve përmes DIVA-s të dixhitalizohen. Administrata tatimore konfirmon se ka nisur punën për përmirësimin e këtij procesi.
Afati për plotësimin dhe dorëzimin e deklaratës DIVA ishte deri më 31 mars 2026. Që nga fundi i muajit maj, Administrata Tatimore ka nisur dhënien e kompensimeve për individët përfitues që kanë deklaruar një ose dy fëmijë në ngarkim.
Rreth 42 mijë përfitues dhe 7 milionë euro të disbursuara
Në total, deri më sot kanë përfituar kompensim pas zbritjes së shpenzimeve nga DIVA rreth 42 mijë tatimpagues për vitin 2025. Shuma e kompensimeve të disbursuara deri tani arrin rreth 7 milionë euro.
Për kompensimin për arsimin e fëmijëve nga njohja e shpenzimeve me vlerë maksimale prej 100 mijë lekësh në vit, sipas të dhënave të mëparshme të Tatimeve, numri i përgjithshëm i aplikantëve pritet të jetë 2,161 individë.
Për këtë kategori, përfitues të njohjes së shpenzimeve arsimore janë vetëm individët me të ardhura bruto vjetore deri në 1.2 milionë lekë. Administrata Tatimore ka nisur procesin e verifikimit të dokumentacionit që justifikon këto shpenzime.
Pasi të përfundojë verifikimi i dokumentacionit dhe të konfirmohet saktësia e tij, shuma e kompensimit për aplikantët do të disbursohet në llogaritë bankare të deklaruara gjatë aplikimit në sistemin e-Filing.
Kjo kategori individësh, gjatë plotësimit të DIVA-s, përveç zbritjes së shpenzimeve në vlerën 48 mijë lekë për çdo fëmijë në ngarkim, përfitoi edhe zbritjen e shpenzimeve arsimore deri në vlerën 100 mijë lekë.
Këto të fundit duhet të justifikohen me fatura të fiskalizuara. Ndërkohë, zbritja prej 48 mijë lekësh për çdo fëmijë në ngarkim u përfitua nga të gjithë individët që plotësuan dhe dorëzuan DIVA-n, pavarësisht nivelit të të ardhurave.
Sipas shembujve që Monitor ka publikuar herë pas here, shumat e përfituara variojnë nga 62 deri në 250 euro.
Megjithatë, e drejta për të aplikuar me qëllim përfitimin e kompensimit nuk humbet për asnjë kategori për 5 vite. Afati i shqyrtimit të kërkesës për kompensim nga administrata tatimore është deri në 2 muaj.
Burimi: shqiptarja.com










