Kryetari i Bashkisë së Shkupit, Orce Gjorgjievski, paraqiti sot në një konferencë për media një bilanc të punës së realizuar gjatë vitit të kaluar. Në fjalën e tij ai u ndal në financat e Bashkisë, projektet infrastrukturore, transportin publik, higjienën komunale dhe mbrojtjen e mjedisit.
Financat dhe projektet e Bashkisë së Shkupit
Gjorgjievski njoftoi se borxhet e Bashkisë dhe të ndërmarrjeve publike janë ulur, ndërsa disa projekte kapitale janë në fazë zbatimi. Ai paralajmëroi gjithashtu investime të reja në infrastrukturën rrugore, në gjelbërim dhe në shërbimet publike.
“Një vit më parë, kur qëndrova para jush në këtë vend, u zotova se do ta nxirrnim Shkupin nga gjendja e rëndë në të cilën jetonim të gjithë dhe do t’i jepnim fund degradimit të tij. Premtova se do ta kthenim sërish në një qytet të fuqishëm, dinjitoz dhe, mbi të gjitha, krenar. Ju premtova punë dhe rezultate. Sot jam këtu përsëri për të raportuar se si e mbajtëm atë premtim.”
“Kemi punuar fort, pa u ndalur ditë e natë. E dinim se pas çdo problemi të pazgjidhur ka njerëz, jeta e të cilëve pret të vijnë ditë më të mira. Ishte detyra jonë t’i krijonim ato ditë. E kuptonim peshën e përgjegjësisë dhe nuk iu shmangëm asaj.”
“Vjen një çast kur një qytet duhet të zgjedhë: të vazhdojë të pajtohet me rënien e vet apo të gjejë forcën për t’u ngritur. Ne zgjodhëm të ngrihemi dhe të përballemi me sfidat më të vështira. Hapëm çështje që kishin mbetur pezull prej kohësh dhe vazhduam punën, sepse çdo shtyrje tjetër do të nënkuptonte edhe një shpresë të humbur për qytetarët tanë”, tha Gjorgjievski.
Ai u ndal edhe te çështje të tjera, për të cilat tha se ka punuar gjatë kohës që drejton Bashkinë e Shkupit./Telegrafi/
Burimi: www.albeu.com









