Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Bota

Vera 2026 shënon sezonin më vdekjeprurës me mbi 50 mijë viktima

Vera 2026 shënon sezonin më vdekjeprurës me mbi 50 mijë viktima
Foto: albeu.com

Vera e vitit 2026 në Evropë shkaktoi rreth 50.000 viktima, sipas vlerësimeve të studiuesve britanikë, duke u bërë kështu vera më vdekjeprurëse e dokumentuar deri tani.

Sipas studiuesve, pothuajse dy të tretat e viktimave (65 për qind) lidhen drejtpërdrejt me ndryshimet klimatike.

Për këtë studim, hulumtues nga Imperial Grantham Institute në Britani dhe London School of Hygiene and Tropical Medicine matën vdekshmërinë e tepërt të shkaktuar nga temperaturat e larta.

Si bazë u përdorën të dhëna nga 854 zona urbane në 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe nga Britania e Madhe, Norvegjia dhe Zvicra. Në rajonet e analizuara jetojnë rreth 40 për qind e popullsisë së përgjithshme të këtyre 30 vendeve.

16.000 viktima nga të nxehtit në Gjermani

Për krahasim, në vitet më të nxehta të regjistruara deri më tani, rreth 29.000 njerëz humbën jetën nga i nxehti në vitin 2022, ndërsa rreth 28.000 në vitin 2003.

Më të goditura ishin vendet e Evropës Jugore dhe Perëndimore. Megjithatë, edhe në shtetet tradicionalisht më të freskëta u regjistruan mijëra viktima. Për Britaninë e Madhe, studiuesit vlerësojnë rreth 4.500 vdekje të lidhura me temperaturat e larta.

Për Gjermaninë, edhe Instituti Robert Koch (RKI) në Berlin publikoi në mesin e shtatorit shifra të ngjashme. Sipas tyre, vetëm gjatë kësaj vere në Gjermani kanë humbur jetën nga i nxehti rreth 16.000 njerëz.

Sipas studiuesve britanikë, qershori i vitit 2026 pati pasoja veçanërisht dramatike në Evropë. Sipas vlerësimeve të tyre, pothuajse një e treta e të gjitha vdekjeve të shkaktuara nga të nxehtit u regjistruan në periudhën nga 17 qershori deri më 1 korrik.

Gjatë kësaj kohe, temperaturat ishin mesatarisht pesë gradë Celsius më të larta se mesatarja e periudhës së referencës 1991-2020. Kjo valë e jashtëzakonshme të nxehti konsiderohet si një nga faktorët kryesorë që e bëri verën e vitit 2026 më vdekjeprurësen nga nxehtësia në Evropë që nga fillimi i regjistrimeve.

Jo vetëm të moshuarit humbën jetën

“Mund të themi me një siguri mjaft të madhe se vera e vitit 2026 ishte më e rënda që nga fillimi i regjistrimeve sa i përket vdekshmërisë së lidhur me të nxehtin në pjesë të mëdha të Evropës”, tha Clair Barnes, studiuese e motit ekstrem dhe ndryshimeve klimatike në Imperial College. “Pas këtyre statistikave fshihen faet e njerëz që kanë humbur jetën dhe familje që vajtojnë humbjen e tyre”, shtoi ajo.

Sipas studiuesve, pasojat e të nxehtit nuk prekën vetëm të moshuarit. Ata vlerësojnë se rreth 6.000 nga 50.000 viktimat e të nxehtit ishin nën moshën 65 vjeç.

“Po bëhet gjithnjë e më e qartë se qytetet tona janë të papërshtatura ndaj temperaturave në rritje dhe është vendimtare që të forcojmë përpjekjet për t’u përshtatur”, theksoi epidemiologu Pierre Masselot nga London School of Hygiene & Tropical Medicine. “Kjo do të thotë t’i freskojmë qytetet përmes më shumë hapësirave të gjelbra dhe më pak ndotjeje, si dhe të garantojmë kujdesin e nevojshëm mjekësor për popullsinë”./ DW

Burimi: www.albeu.com

Të fundit Të gjitha