Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Kërkohet miratimi i kredive të buta për 1500 familje në Tiranë

Kërkohet miratimi i kredive të buta për 1500 familje në Tiranë
Foto: euronews.al

Afërsisht 1500 familje në Tiranë ndodhen në prag të vijimit të procedurave për të përfituar kreditë e buta për blerjen e një banese. Pasi u publikua lista e fituesve, kryebashkiaku Erion Veliaj i ka kërkuar Këshillit Bashkiak ta miratojë atë të plotë në mbledhjen e 29 tetorit.

Veliaj kërkon miratimin e listës

Përmes një postimi në Instagram, Veliaj ka uruar familjet e përzgjedhura, ndërsa ka folur edhe për vështirësitë që, sipas tij, po i krijohen në ushtrimin e funksioneve si drejtues i bashkisë.

“Pavarësisht përndjekjes, izolimit dhe refuzimit të çdo takimi pune me stafin e bashkisë, çka ma vështirëson së tepërmi detyrën për t’i shërbyer si duhet qytetarëve që më kanë votuar, më vjen mirë që këtë javë bëjmë realitet ëndrrën e 1500 familjeve, të cilat janë shpallur fituese nga programi i kredisë së butë!”, shkruan ai.

Kryebashkiaku thekson se miratimi i listës nga Këshilli Bashkiak është hapi i nevojshëm që përfituesit të kalojnë në fazën tjetër dhe të vijojnë procedurat pranë bankave.

“I kam propozuar Këshillit Bashkiak të Tiranës që, në mbledhjen e 29 tetorit, ta miratojë të plotë listën, që këto familje të përballojnë blerjen e një shtëpie të re. E marr me mend gëzimin e tyre, ndaj edhe i uroj nga zemra”, shprehet Veliaj.

Kushtet e skemës së kredisë së butë

Skema e mbështetjes synon të lehtësojë blerjen e banesave për familjet me të ardhura të ulëta, përmes subvencionimit të interesave të kredisë. Sipas programit, norma e interesit është 3%, ndërsa përfitimi përcaktohet në varësi të numrit të anëtarëve të familjes dhe kritereve të aplikimit.

Pas miratimit të listës, familjet fituese duhet t’u drejtohen bankave që kanë marrëveshje me Bashkinë e Tiranës për të vijuar procesin e përfitimit të kredisë.

Burimi: euronews.al

Të fundit Të gjitha