Gazetari dhe analisti Mentor Kikia, përmes një postimi në rrjetet sociale, thekson se kompania që ishte planifikuar të prodhonte armë dhe municione shqiptare e ka transferuar veprimtarinë e saj nga zona e ish-Uzinës së Autotraktorëve në Tiranë.
Kikia shton se kompania e Ron Yeffet ka marrë nën kontroll edhe ish-Uzinën e Bakrit në Rubik, ndërsa në dokumentin e publikuar nga gazetari vërehet se është ndryshuar edhe adresa.
Sipas gazetarit, kjo kompani po merr nën kontroll objekte të falimentuara të industrisë së periudhës komuniste, ndërsa projektet për prodhimin e armëve janë të rrethuara nga hije skandalesh për trafik ndërkombëtar armësh.
Postimi i plotë
Po sikur armatimet dhe municionet shqiptare të prodhoheshin në ish-Uzinën “Autotraktorëve”, në Tiranë?
Në ambientet e saj u organizua madje edhe një ceremoni zyrtare, për të prezantuar këtë ambicie të madhe për takatet tona, në fushën e industrisë ushtarake.
Megjithatë, tashmë kompania e krijuar për këtë qëllim, e cila kontrollohet nga Ron Yeffet, me shtetin si bashkëpunëtor në minorancë, ka marrë edhe ish-Uzinën e Bakrit në Rubik. Madje është zhvendosur edhe adresa, që nënkupton edhe veprimtarinë.
Vendimi nuk përbën surprizë, pasi në prill 2025 kryeministri Rama kishte deklaruar se territori i ish-Uzinës së braktisur të përpunimit të bakrit do të kthehet në industri të prodhimeve ushtarake.
Ndërkohë që kjo kompani merr nën kontroll objekte të falimentuara të industrisë së kohës së komunizmit, projektet për prodhimin e armëve janë të rrethuara nga hije skandalesh për trafik ndërkombëtar armësh. Ndërsa në Shqipëri prodhimet ushtarake mbeten vetëm një trill dhe pa asnjë pikë transparence.
Burimi: www.cna.al










