Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Regjimi i TVSH-së për Bursën e Energjisë zgjatet deri në anëtarësimin në BE

Regjimi i TVSH-së për Bursën e Energjisë zgjatet deri në anëtarësimin në BE
Foto: lajmifundit.al

Regjimi i posaçëm i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX) parashikohet të vazhdojë deri në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke zëvendësuar afatin aktual të 31 dhjetorit 2026.

Ky ndryshim është përfshirë në projektligjin “Për një ndryshim dhe shtesë në ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, i cili bën pjesë në projekt-paketën fiskale 2027 të përgatitur nga Ministria e Financave.

Regjimi i veçantë i TVSH-së për ALPEX

Regjimi i posaçëm i TVSH-së për Bursën Shqiptare të Energjisë (ALPEX) ka si qëllim lehtësimin e blerjes dhe shitjes së energjisë elektrike në bursë. Sipas këtij regjimi, për energjinë që tregtohet në bursë nuk zbatohet TVSH-ja në momentin e shitjes, ndërsa detyrimi për llogaritjen dhe deklarimin e saj kalon tek blerësi. Kjo mënyrë shmang nevojën që kompanitë të paguajnë TVSH-në paraprakisht për çdo transaksion, duke u mundësuar atyre të përdorin më lirshëm fondet e tyre dhe duke lehtësuar tregtimin e energjisë. Në Paketën Fiskale 2027 propozohet që ky regjim, i cili përfundon më 31 dhjetor 2026, të vazhdojë deri në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në relacionin shpjegues thuhet se propozimi është bërë me kërkesë të Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX) dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, me qëllim garantimin e vijimësisë së regjimit të posaçëm tatimor që zbatohet për transaksionet në bursën e energjisë.

Aktualisht, afati i zbatimit të këtij regjimi përfundon më 31 dhjetor 2026. Me ndryshimet e propozuara, ky afat nuk do të përcaktohet më sipas një date fikse, por do të lidhet drejtpërdrejt me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Vijimësia e tij konsiderohet e rëndësishme për ruajtjen e kushteve të funksionimit të tregut, lehtësimin e transaksioneve nëpërmjet bursës dhe garantimin e parashikueshmërisë për subjektet pjesëmarrëse.

Ministria e Financave vlerëson gjithashtu se gjatë zbatimit të deritanishëm të këtij regjimi nuk janë evidentuar problematika në administrimin e tij nga administrata tatimore.

Ndryshimet e propozuara në ligjin e TVSH-së

Projektligji parashikon heqjen nga neni 155/3 i ligjit aktual të TVSH-së të afatit “Deri më 31 dhjetor 2026”, ndërsa shton një nen të ri, 155/4, ku përcaktohet se regjimi i posaçëm për Bursën Shqiptare të Energjisë do të zbatohet deri në datën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Sipas relacionit, ndryshimet e propozuara nuk synojnë përafrimin me legjislacionin e BE-së, por ruajtjen e regjimit ekzistues deri në momentin e anëtarësimit.

Projektligji parashikon që ndryshimet të hyjnë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe t’i shtrijnë efektet nga data 1 janar 2027. Sipas Ministrisë së Financave, miratimi dhe zbatimi i këtij projektligji nuk pritet të sjellë efekte financiare në buxhetin e shtetit.

Burimi: lajmifundit.al

Të fundit Të gjitha