Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Opinion

Alban Daci kërkon të mos refuzohet çdo gjë nga Serbia

Alban Daci kërkon të mos refuzohet çdo gjë nga Serbia
Foto: shqiptarja.com

Largimi i Vuçiçit nuk sjell ndryshim në qasjen ndaj Kosovës. Nuk e kam ushqyer kurrë këtë iluzion. Madje, mendoj se në raport me Kosovën do të vijë një periudhë më e vështirë, sepse ata që po vijnë nuk kanë eksperiencë shtetformuese dhe kanë orientim popullor, ndoshta edhe më ekstrem.

Për këtë arsye kam theksuar se për BE-në, ndryshimi i lidershipit nuk shihet me më shumë optimizëm, sepse e reja që mund të vijë mund të jetë një version më i gabuar se establishmenti ekzistues. Në këto kohë të trazuara ndërkombëtare, ndoshta vendet e BE-së preferojnë establishmentet ekzistuese të vendeve që duan të anëtarësohen, sepse ajo që mund të presë pas dere është e panjohura, dhe kjo e fundit krijon efekte surprizë dhe shoqërohet me të panjohura.

Zgjedhjet në Serbi si model për Shqipërinë

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se politikisht ngjarjet dhe zgjedhjet e Serbisë nuk duhet të merren si model apo edhe si frymëzim për Shqipërinë. Argumenti se serbët janë kundër shqiptarëve dhe se çdo gjë që ndodh atje nuk është e mirë për ne është i gabuar.

Zgjedhjet në Serbi janë një leksion se çfarë mund të ndodhë e ndoshta duhet të ndodhë edhe në Shqipëri. Situata është e ngjashme, sepse kemi qytetarë, studentë, shumicë apo jo nuk di ta them, por që janë ngritur kundër klasës politike dhe establishmentit tonë.

Pra, emërues i përbashkët si në Serbi dhe në Shqipëri është edhe fakti se kemi qytetarë që për shkak të pakënaqësive ose edhe orientimit politik janë ngritur ndoshta me misionin ose qëllimin për përmbysje të mëdha.

Në Shqipëri vazhdojnë përplasjet, ndërsa Serbia duket se politikisht pas zgjedhjeve e ka gjetur zgjidhjen e paqes sociale, edhe pse kjo duhet parë në planin afatgjatë.

Në Serbi kryengritësit formuan subjektin e tyre politik dhe hynë në zgjedhje duke mundur Vuçiçin dhe duke eliminuar bashkë me të, le të themi, edhe opozitën tradicionale.

Ky është një model i mundshëm dhe i arsyeshëm zgjidhje edhe për ngërçin në Shqipëri.

Të gjithë ata që po protestojnë në Shqipëri për ndershmëri sociale, por edhe për koherencë të kërkesave të tyre, duhet të formojnë subjektin e tyre politik dhe të përballen politikisht me Ramën dhe jo vetëm.

Mësimi i rastit të Serbisë

Mësimi tjetër i rëndësishëm i rastit të Serbisë, që jo vetëm unë, por edhe të tjerë e kanë artikuluar, është se: nëse ka frymë, nuk ka forcë politike që nuk mundet. Studentët e mundën Vuçiçin bashkë me sistemin e tij.

Pra, teoria opozitare shqiptare se Ramën nuk e mundim dot, sepse ka krijuar një sistem, nuk qëndron.

Madje, duke iu referuar historisë, shpesh kam theksuar se qytetarët, kur ngrihen e kanë frymën, mundin e mposhtin edhe regjime tipike diktatoriale.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha