Një javë më parë, sindikata e pedagogëve bëri të ditur se do t’i bashkohej protestës së studentëve, duke premtuar gjithashtu se do të marshonte çdo ditë në orën 10:00 nga Universiteti Politeknik drejt Kryeministrisë.
Megjithatë, ky ritëm duket se u ndërpre pas 24 tetorit, që ishte dhe dita kur protesta u kthye në disa nga episodet më të rënda të dhunës në rrugë kundër policisë dhe djegies së institucioneve e bizneseve, ndërsa protestues të maskuar jo vetëm që u strehuan në selinë e Partisë Demokratike, por u panë ta përdorin atë edhe si bazë logjistike.
Ndryshimi i rutinës së pedagogëve
Që nga e shtuna, diçka ka ndryshuar në ritmin e protestës së pedagogëve. Ndërsa një grup prej tyre u shfaq sot para Ministrisë së Arsimit për të denoncuar dhunën e përdorur nga policia, rituali i marshimit të orës 10:00 nuk u përsërit sot. Të paktën jo nga sindikata e pedagogëve, e cila këto ditë duket se është zhdukur nga hapësira publike që kishte zënë deri më 24 tetor.
Po, çfarë ndodhi? A ka përfunduar bojkoti, apo pedagogët thjesht ndryshuan strategji? Apo mos ndoshta marshimi synonte qysh në fillim ta kanalizonte protestën e studentëve drejt Partisë Demokratike, një destinacion i natyrshëm për një sindikatë ku, siç u pa, shumica e anëtarëve kanë qenë ose janë ende pjesë e kësaj partie? Dhe, nëse ky ishte qëllimi qysh në fillim, a vendosën pedagogët të tërhiqen në momentin që e realizuan atë, duke e kanalizuar protestën në territorin e Partisë Demokratike?
Ndoshta arsyet për ndryshimin e rutinës së tyre mund të jenë shumë më banale se kaq, por nëse premton se do të marshosh çdo mëngjes në të njëjtën orë drejt ndërtesës së Kryeministrisë për të protestuar, atëherë edhe tërheqja e papritur prej kësaj shërben si një deklaratë politike. Veçanërisht kur kjo mungesë vjen menjëherë pas 24 tetorit, ditës kur kufiri mes mobilizimit studentor dhe atij partiak, praktikisht u fshi.
Burimi: www.gazetatema.net










