Pas një periudhe provë, qyteti zviceran i Gjenevës po e shndërron shërbimin falas të dërgesës së ushqimeve në shtëpi në një shërbim të përhershëm për personat e moshës 65 vjeç e lart. Ky shërbim tani do të jetë në dispozicion edhe për ata që përfitojnë një shtesë për kujdesin personal.
Përfituesit dhe rezultatet e programit
Këta persona mund të marrin falas dërgesën e pazarit të tyre një herë në javë. Programi pilot për dërgesën falas të ushqimeve në shtëpi, i cili nisi në verën e vitit 2025, ka rezultuar shumë i suksesshëm, me një mesatare prej 260 dërgesash në muaj, njoftoi të hënën Departamenti për Kohezion Social dhe Solidaritet (DCSS), sipas swissinfo, transmeton albinfo.ch.
Përfituesit, numri i të cilëve aktualisht është 300, kanë një moshë mesatare prej 79 vjeç.
Duke u mbështetur në këtë rezultat pozitiv, DCSS ka vendosur ta kthejë këtë nismë në një shërbim të përhershëm, duke zgjeruar njëkohësisht edhe grupin e përfituesve.
Mënyra e funksionimit të dërgesave
Qëllimi mbetet i njëjtë: nxitja e pavarësisë, lëvizshmërisë dhe lidhjeve shoqërore, duke lehtësuar njëkohësisht kryerjen e pazarit të përditshëm.
Dërgesat kryhen me biçikleta elektrike nga shoqata “Genèveroule”. Pazaret mund të bëhen në të gjitha tregjet ushqimore, si dhe në të gjitha supermarketet “Migros” që ndodhen në qytet. Dërgesat ofrohen nga e hëna deri të shtunën, me një kufizim prej dy çantash, pesha totale e të cilave nuk duhet të kalojë 20 kilogramë.
Burimi: www.gazetaexpress.com









