Amerikanët janë përfshirë plotësisht në trendin e përdorimit të termit “maxxing”, duke e bërë atë Fjalën e Vitit 2026 për Dictionary.com.
Termi “maxxing”, i shkurtuar nga fjala angleze maximising (maksimizim), “mund të përdoret më vete ose t’i shtohet fundit të çdo fjale për të shprehur se po bën diçka në formën më të plotë të mundshme ose po e optimizon atë sa më shumë që të jetë e mundur”, thotë Dictionary.com.
Ky është një ndryshim i madh krahasuar me dy vjet më parë, kur faqja, pas analizimit të trendeve të rrjeteve sociale në SHBA, lajmeve dhe të dhënave të kërkimeve, zgjodhi fjalën “demure” si Fjalën e Vitit. Fjala e vitit të kaluar ishte “67”.
“Maxxing është shfaqja gjuhësore e një kulture që po bëhet gjithnjë e më e përqendruar te përpjekja për të marrë maksimumin nga gjithçka”, tha Steve Johnson, drejtor i leksikografisë në Dictionary Media Group.
Përdorimi i termit në media dhe rrjetet sociale
Dictionary.com zbuloi se mediat dixhitale e përdorën termin “maxxing” gati 19 herë më shpesh në gusht të vitit 2026, krahasuar me mesataren mujore të vitit 2025. Faqja shqyrtoi gjithashtu fjalët “affordability” (përballueshmëria e kostos), “data centre” (qendër të dhënash), “odyssey” (odise) dhe formën e shkurtuar të fjalës “uncle” (xhaxha/dajë), “unc”, si kandidate të mundshme për Fjalën e Vitit.
Në rrjetet sociale, shumë pjesëtarë të Gjeneratës Z dhe të brezave më të rinj, pra persona nën moshën 30 vjeç, publikojnë vazhdimisht përpjekjet e tyre për të arritur përsosmërinë në fusha të ndryshme, duke përdorur termin “maxxing”. Dhe, sipas tyre, tingëllon më bukur sesa të thuash thjesht që po përpiqesh më shumë.
Influencuesit e përqendruar te fitnesi dhe mirëqenia publikojnë për “proteinmaxxing” dhe “fibermaxxing”, pra përpjekjet për të maksimizuar marrjen e proteinave dhe fibrave. Ata që i kushtojnë gjithë vëmendjen përmirësimit të zakoneve të gjumit thonë se po bëjnë “sleepmaxxing”, domethënë po përpiqen të optimizojnë gjumin e tyre.
Origjina e mëparshme e termit
Njerëzit luanin me këtë term dhe me idenë që ai përfaqëson për dekada të tëra, përpara se të kthehej në trend.”
Për shembull, në këngën e serialit televiziv të viteve 1990, The Fresh Prince of Bel-Air”, Ëill Smith recitonte: “Chillin’ out, maxin’, relaxin’ all cool.”
Burimi: shqiptarja.com










