Një shtetas shqiptar 34-vjeçar, i shpallur në kërkim nga Italia për trafik droge, është ndaluar në Madrid.
34-vjeçari u arrestua gjatë një kontrolli kufitar në aeroportin Madrid-Barajas dhe pritet t’u dorëzohet autoriteteve italiane.
Hetimet ndërkombëtare dhe identiteti i ri
Hetimet në nivel ndërkombëtar zbuluan ndryshimin e të dhënave personale të të kërkuarit dhe rindërtimin e identitetit të tij. Gjatë hetimeve u konstatua se ai kishte siguruar edhe një pasaportë të re shqiptare. Kjo ndihmoi në identifikimin e të dhënave të nevojshme për të orientuar kërkimet përtej kufijve kombëtarë.
Ndalimi dhe dënimi i mëparshëm
Emri i tij kishte dalë gjatë hetimit antidrogë të zhvilluar në Rimini. Ai u arrestua më 10 tetor 2012, bashkë me 10 persona të tjerë. Shqiptarit iu gjetën rreth 1 kilogram heroinë.
Më 19 shkurt 2019, Prokuroria e Riminit lëshoi ndaj tij një urdhër-arresti për ekzekutimin e dënimit. Sipas vendimit, atij i kishin mbetur për të vuajtur 6 vjet, 10 muaj e 8 ditë burg, si dhe një gjobë prej 64.000 eurosh.
Gjurmët e tij ishin zhdukur prej vitit 2015.
Burimi: www.gazetatema.net










