Shkruan: Agron Blakaj
Trajtimi i grave në shoqërinë shqiptare
E kam thënë vite më parë dhe vazhdoj ta them: Pse ky vend nuk sheh ditë të mira?
Sepse e kanë mallkuar nënat, gratë, motrat e vajzat tona.
Historikisht, ne burrat, gratë i kemi quajtur “rob”, dhomën ku kanë qëndruar – “shpija e robve”, e pastaj jemi mburrur se sa shumë i nderojmë: I kemi quajtur “gra burrnesha” vetëm atëherë kur janë bërë qilim a prag, që ne burrat me shkelë mbi to pa ua dëgjuar as edhe një rënkim.
E ato kanë mallkuar jo për punët e rënda, por për mënyrën si i kemi trajtuar. Kanë mallkuar duke gatuar e duke e ngrënë bukën me lot se e kanë duruar një jetë qençe.
E sa gra shqiptare janë zgjuar e kanë rënë në gjumë duke iu lutur Zotit, prej zorit, me ua marrë shpirtin! Sa gra e kanë mallkuar pragun, burrin e familjen ku janë martuar që u kanë rënë për hise!
Eh, sa herë u është thënë: “Duro, se marre me u nda!” I kemi zhveshur nga çdo fuqi, ua kemi mohuar të drejtën e fjalës e të mendimit, e lëre më të drejtën e pronës a të vendimmarrjes. Pastaj heshtjen e durimin e tyre i kemi quajtur – “rod i mirë”.
Heshtja dhe vuajtja e grave
A mundeni me ma gjetë një rast divorci ndër ne ku çifti është ndarë pa fjalë, pa poterë a tragjedi; ku gruaja është larguar pa fyerje, pa etiketime e pa kërcënime?
A duhet patjetër me u derdhë gjak që ta pranojmë se ajo ka të drejtë me e pasë jetën e saj?
Se për ta mbajtur “nderin e shtëpisë”, gruas ia kemi kërkuar edhe jetën.
Prandaj nuk shohim ditë të mira: se na zë mallkimi i atyre që i detyruam me iu lutë Zotit për vdekje. Se ne burrat, nuk u kemi dhënë dashuri në jetë, përkundrazi, e kemi luajtur rolin e “Zotit” në lutjet e tyre.
P.S. E krejt kësaj shtoja faktin e papërgjegjësisë së dhimbshme institucionale e shoqërore.
Burimi: insajderi.org









