Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Opinion

10 mijë protestues kërkojnë rrëzimin e qeverisë

10 mijë protestues kërkojnë rrëzimin e qeverisë

(Demokraci me gurë dhe molotovë)

Fillimisht mendova se ishin dhjetë mijë, por shifra dukej e tepruar. Megjithatë, llogaria nuk përputhej. Një mijë tingëllon më realistike. Por më saktë janë njëqind persona ata që djegin, shkatërrojnë, sulmojnë policinë dhe përdorin me mjeshtëri molotovë e fishekzjarre, sikur të jenë stërvitur diku. Dhe dihet se ku, kjo nuk është më sekret. Theksoj njëqind, sepse të tjerët, qoftë një mijë, qoftë edhe më shumë, janë paqësorë dhe protestojnë për vështirësitë dhe problemet që kanë, duke qenë në të drejtën e tyre. Këta njëqind trimosh, rastësisht, zbatojnë një mësim të shokut Enver, sipas të cilit pushteti merret me grykën e pushkës. Sa bukur do të ishte sikur të mos votonim më çdo katër vjet! Mjafton të mblidhen një mijë, dy mijë apo dhjetë mijë veta, të djegin ca kosha, të shkulim semaforë, të thyejnë prona e të sulmojnë policët, dhe ja ku ndërrohet qeveria! Kutitë e votimit mund t’i dërgojmë në muze. Demokracinë e kemi zëvendësuar me gurë.

Qindra e mijëra të rinj, studentë, pleq e plaka dalin në rrugë për të kërkuar rrëzimin e qeverisë, e cila ka dalë nga zgjedhjet. Jo për paga, pensione, konvikte, çmime apo kushte më të mira jetese. Kërkesa duket se është vetëm politike: ikni ju, të vijmë ne!

Po mirë, pse lodhemi me fushata, programe, kandidatë dhe votime? Pse shpenzojmë para për zgjedhje, kur qeverinë mund ta vendosë kush bërtet më fort dhe hedh gurin më larg?

Miliona qytetarë votojnë, ndërsa një pjesë e tyre duan një qeveri tjetër. Kanë të drejtë ta kërkojnë, madje edhe ta kërkojnë me ngulm. Por vota e pakicës së zemëruar nuk mund të zëvendësojë votën e shumicës. Përndryshe, nuk kemi më demokraci, por ankand pushteti: kush bën më shumë zhurmë, merr qeverinë.

Paradoksi më i madh është se këta protestues flasin në emër të popullit. Kush ua dha këtë përfaqësim? A i numëroi dikush votat e tyre? Apo mjafton të dalin disa vandalë, që të shpallen zëri i dy milionë shqiptarëve? Po të ishte kështu, do të duhej të besonim se populli ka vendosur të vetëdigjet, të vetëshkatërrohet dhe të shkatërrojë pronën e vet.

Anderseni, shkrimtari i përrallave, ka një shprehje që i shkon për shtat kësaj situate: një mijë njerëz që bërtasin mund të bëjnë më shumë zhurmë se njëqind mijë që heshtin. Por zhurma nuk është votë, as britma mandat qeverisës. Dhe heshtja e shumicës nuk do të thotë se ajo ia ka dorëzuar vullnetin pakicës më të zhurmshme.

Protesta dhe kufijtë e saj

Të mos keqkuptohemi: protesta është e drejtë demokratike. Qeveria duhet kritikuar, gabimet duhen denoncuar dhe pushteti duhet mbajtur nën presionin e qytetarëve. Por kjo e drejtë nuk përfshin licencën për të djegur, shkatërruar, sulmuar policët, terrorizuar qytetarët apo dëmtuar pronën publike. Protestuesi nuk fiton imunitet nga ligji vetëm sepse ka dalë në rrugë me një flamur politik në dorë.

Dhe këtu nis përgjegjësia e opozitës. Një opozitë që pretendon të qeverisë vendin duhet të mbrojë të drejtën e protestës, por edhe të dënojë pa ekuivok dhunën. Nëse e justifikon vandalizmin, nëse e përdor zemërimin e qytetarëve si shkallë për të marrë pushtetin, atëherë nuk po ndërton një alternativë qeverisëse. Po u mëson shqiptarëve se pushteti nuk merret me votë, por me zjarr.

Përgjegjësia e qeverisë dhe e drejtësisë

Sigurisht, edhe qeveria ka përgjegjësitë e saj. Fakti që ka dalë nga zgjedhjet nuk e bën të pagabueshme, as nuk e përjashton nga llogaridhënia. Ajo duhet t’u përgjigjet halleve reale të qytetarëve, të mos fshihet pas rezultatit elektoral dhe të garantojë rendin pa përdorur forcë të tepruar. Policia duhet të veprojë ligjërisht dhe proporcionalisht, ndërsa prokuroria e gjykatat duhet të vlerësojnë veprimet individuale, provat dhe përgjegjësinë e secilit. As pushteti nuk është mbi ligjin, as protestuesi nuk është mbi të.

Por kur opozita ëndërron të vijë në pushtet përmes dhunës, kur vandalizmi shitet si trimëri dhe kur çdo shkelës shpallet automatikisht hero politik, atëherë demokracia fillon të ngjajë me një përrallë. Vetëm se këtë herë nuk e shkruan Anderseni.

Umberto Eko i atribuohet shpesh një mendim ironik për marrëzinë e shumicës dhe zërin e budallenjve. Por demokracia nuk matet me numrin e budallenjve që bërtasin, as me numrin e të mençurve që heshtin. Ajo matet me rregullat që u japin të gjithëve të drejtën të zgjedhin, pa i dhënë askujt të drejtën t’ua imponojë vullnetin të tjerëve me dhunë.

Përndryshe, zgjedhjet e ardhshme mund t’i zëvendësojmë me një konkurs molotovësh. Kush djeg më shumë, bëhet kryeministër.

Dhe pastaj mos u çudisni kur fituesi të na thotë se e ka marrë pushtetin në emër të popullit. Në fund të fundit, kështu do ta kemi zgjedhur: jo me votë, por me flakë.

Burimi: www.gazetatema.net

Të fundit Të gjitha