Nga Skënder Minxhozi
E thënë thjesht, qytetarët po e shohin se si Tirana po digjet nga ballkonet e shtëpive të tyre, ndërsa për studentët nuk ka asnjë informacion të saktë. Me shumë mundësi, pas mbylljes së universiteteve dy javë më parë, ata janë kthyer në shtëpi duke pritur që të përfundojë kjo situatë kaotike me gurë dhe dhunë.
Protesta e dhunshme e një pakice opozitarësh dhe të rinjsh e ka futur kryeqytetin e Shqipërisë në një tunel tymi e flakësh prej dy javësh. Një turmë që nuk i kalon dy-tre mijë vetat dhe në krye të së cilës qëndron një grup i maskuar që përhap shkatërrim nëpër rrugë, duke djegur e shkatërruar prona private, banka, institucione shtetërore apo sinjalistikë rrugore. Një grup që është kthyer në një makth për një qytet që e ka mjaft të rënduar memorien kolektive për akte të tilla.
Për katër muaj me radhë, nga qershori në shtator, kryeqyteti ishte në duart e protestuesve. Më shumë se 130 ditë protesta të përditshme që nisnin dhe mbylleshin me vendimin ekskluziv të organizatorëve. Liri totale në një hapësirë që jetohej edhe nga qindra mijë të tjerë, të cilët duhet të hapnin rrugë çdo ditë. Protestuesit bllokonin rrugë, parqe e qendra urbane sipas dëshirës, shqetësonin klientët nëpër bare e lokale dhe kishin krijuar itinerare që shpërfillnin totalisht bllokimet e trafikut që shkaktonin dhe lëvizjet e njerëzve nëpër qytet. Tirana jetonte me pulsin e një proteste ditore që shkaktonte tkurrje, por që përsëri pranohej si e tillë. Nga qytetarët dhe nga autoritetet. Ishte rënë dakord që do të bashkëjetohej me protestën dhe ashtu ndodhi.
Ndryshimi i protestës
Prej 14 ditësh “muzika” ka ndryshuar. Flamujt e plastikës janë hedhur në Lanë, ndërsa vetë protesta ka veshur maskë dhe quhet revoltë.
Siç ndodh rregullisht, me kalimin nga paqja tek dhuna, ajo është mpakur e tkurrur, duke mos i kaluar pak mijëra vetët, përfshirë opozitarë dhe mosha të dyta e disa herë të treta që dalin në sheshe. Për shembull, në një të dielë si kjo e sotmja në bulevard ndodhen më shumë policë e njerëz të medias sesa protestues.
Protesta ka veshur parzmore, por nuk është bërë më tërheqëse. E kundërta është e vërtetë. Përtej simpatisë së përgjithshme që krijoi tek qytetarët në fillimet e veta, ajo praktikisht i ka lënë indiferentë këta muaj Tiranën me 700 mijë banorët e saj. Në këto orë dramatike kur ndizet flakë qendra e qytetit dhe digjen rrugë, institucione e biznese, tiranasit po e ndjekin me dëshpërim protestën nga ballkonet dhe televizorët në shtëpitë e tyre. Dhe kjo është një e vërtetë e thjeshtë dhe e madhe që mund të provohet fare lehtë.
Protesta e të shtunës kishte de facto brenda vetes tre protesta: pedagogët, opozitën dhe studentët e gjimnazistët. Madje për opozitën bëhej fjalë për një protestë “kombëtare”. Ironi e madhe kjo kur shihje sa vetë kishte mbledhur Berisha në bulevard.
Shifrat e studentëve dhe pjesëmarrja
Veç kësaj ka nja dy shifra për të cilat nuk flet askush e që në fakt janë çelësi i leximit të kësaj që po ndodh. Sipas atyre që merren me arsimin në Tiranë, studiojnë rreth 80 mijë studentë universitarë, të shpërndarë në institucionet publike dhe private të arsimit të lartë. Ka gjithashtu edhe rreth 19 mijë gjimnazistë të regjistruar. Pra, një komunitet që do të kishte parimisht lidhje me protestën, prej afro 100 mijë të rinjsh. Një potencial i jashtëzakonshëm energjie qytetare, intelektuale dhe përmbysëse përballë të cilit do të kapitullonte çdo qeveri.
Megjithatë, përballë këtij potenciali në letër impresionues, në protestat që thirren në emër të studentëve dhe gjimnazistëve, pjesëmarrja zakonisht nuk i kalon dy-tre mijë personat. Edhe duke supozuar se të gjithë pjesëmarrësit janë studentë apo gjimnazistë (aty në fakt ka edhe jo pak 30-50 vjeçarë), kjo shifër përfaqëson vetëm 2% të komunitetit të tyre në kryeqytet. Ku janë 78 mijë studentët e tjerë? Pse nuk kanë zbritur edhe ata në bulevard për të rrëzuar diktaturën? Pse nuk janë edhe ata duke shkulur pllaka e duke hedhur molotov mbi godinat 100-vjeçare të qendrës së Tiranës?
Paradoksi është domethënës: në një kryeqytet me 99 mijë studentë e gjimnazistë, 97 mijë prej tyre rezulton se nuk tërhiqen nga protesta. Natyrisht, pjesëmarrja në një protestë nuk është referendum. Ashtu si edhe mosmarrja pjesë nuk nënkupton automatikisht kundërshtim të asaj që kërkon protesta, e as indiferencë politike. Megjithatë ky hendek i madh shifrash kërkon një përgjigje. Dhe mbi të gjitha kërkon një lexim që nuk është ai i atyre që bërtasin në kupë të qiellit për dhunën e shtetit, e kur kanë qenë vetë në shtet dhunën e kanë përdorur në forma dukshëm më ekstreme e të përgjakshme.
Në fakt, dy mijë të rinjtë që dalin në shesh nuk janë problemi. Ata ushtrojnë një të drejtë, natyrisht deri në momentin kur lënë parullat dhe marrin shishet e benzinës. Problemi i vërtetë është pretendimi i tyre dhe i të tjerëve që u bashkohen protestës duke u hequr si studentë ndërsa i kanë flokët e bardha, se po përfaqësojnë mbarë popullin shqiptar. Kur dëgjon të thuhet se sot populli kërkoi largimin e Ramës, të vjen të pyesësh “ku është populli”? Dhe pse jo, të pyesësh edhe “ku janë 78 mijë studentët”? Gjimnazistët nuk po i fusim në ekuacion sepse janë prani e përkohshme e protestave.
Për të rrëzuar të gjithë sistemin politik njëherësh dhe për të çuar në burg edhe Ramën edhe Berishën dorë për dore, duhen njerëz. Shumë njerëz madje. Shifrat kanë peshë dhe rëndësi sepse shifrat krijojnë frymën dhe trembin elitën politike. Pa shifra s’ka frymë ndryshimi. Një protestë që pretendon objektiva sublime dhe me përmasa historike, nuk mund ta bëjë këtë me pak qindra ose mijëra njerëz në shesh. Klasa politike drejtuese nuk i merr parasysh pak qindrat dhe pak mijërat, sado cinike të tingellojë kjo. Ajo kupton dhjetëra mijëra e lart, qoftë edhe në një vend të vogël si ky i yni.
Protesta e humbi momentin kur nxori dhjetëra mijë njerëz në shesh në qershor. Na tha se nuk ka asnjë dëshirë të hyjë në politikë dhe as të krijojë një projekt sfidues. Pretendoi të shembet pa u bërë pis me llaçin e tullat e ndërtuesit. Kësisoj ajo humbi interesin dhe besimin e tiranasve dhe të shqiptarëve duke degjeneruar në dhunë dhe mungesë totale orientimi dhe perspektive./JavaNews
Burimi: kohajone.com










