Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Showbiz

Njerka apo shoqe, 5 emra VIP që sfiduan stereotipet

Njerka apo shoqe, 5 emra VIP që sfiduan stereotipet
Foto: bordo.al

Njerkat vazhdojnë të mbartin një barrë paragjykimesh, e cila është ushqyer ndër vite nga stereotipet që i kanë përshkruar këto figura si të ftohta dhe shpesh armiqësore. Megjithatë, familjet bashkëkohore po dëshmojnë se marrëdhëniet nuk përcaktohen vetëm nga lidhjet biologjike, por edhe nga afërsia, respekti dhe dëshira për të qenë pjesë e jetës së dikujt. Në showbiz-in shqiptar, disa personazhe të njohur kanë ndarë me publikun përvoja që vërtetojnë se fëmijët e partnerit apo partneres nuk janë një kapitull më vete, por mund të bëhen pjesë e natyrshme e një familje të re. Pa konkurruar me prindërit biologjikë dhe pa pretenduar të zënë vendin e askujt, ata kanë ndërtuar marrëdhënie që nuk i ngjajnë aspak përrallave apo filmave, ku partnerja e babait është gjithmonë personazhi negativ.

Eronita dhe Tare

Eronita, bashkëshortja e këngëtarit Blero, ka folur së fundmi për marrëdhënien me Tarën, vajzën e tij nga martesa me Teuta Krasniqin. Në një intervistë për “Prive”, ajo e përshkroi si një lidhje shumë të afërt, duke u shprehur se e sheh Tarën si fëmijën e saj, por edhe si një motër të vogël. Eronita tregoi se në fillim ishte treguar e kujdesshme, duke kuptuar se afrimi kërkonte kohë dhe ndjeshmëri. Sot, ajo flet për një raport të veçantë, ku afërsia nuk është imponuar, por është krijuar natyrshëm. Një marrëdhënie që dëshmon se vendi që fiton në jetën e një fëmije nuk ka pse të jetë në konkurrencë me askënd.

Të gjithë e kujtojmë takimin e ndjerë të Çiljeta Xhilagës me dy djemtë e saj, Fernando dhe Beko, gjatë qëndrimit disajavor në reality show-n “Ferma VIP”. Ndonëse Beko nuk është djali i saj biologjik, mjafton t’i shohësh pa thënë asnjë fjalë për të kuptuar se marrëdhënia e saj me djalin e partnerit nuk ka asnjë ndryshim nga ajo që artistja ka me djalin e saj biologjik, Fernandon. Çiljeta Xhilaga ka treguar se Beko, djali i partnerit të saj, Alban Hoxha, i kishte kërkuar vetë ta thërriste “mami”, një epitet që Çili e mban me shumë krenari.

Eni Koçi dhe Gjini

Eni Koçi e ka përshkruar Gjinin, djalin e bashkëshortit të saj, Genc Prelvukaj, si një person shumë të rëndësishëm në jetën e saj. Në një intervistë për “The Elite Way”, ajo tregoi se kanë pasur harmoni që në fillim dhe zbuloi me humor se ndonjëherë bëhen grup kundër Gencit. Përtej batutës, ky detaj përcjell një raport të çlirët, ku nuk ka nevojë për formalitete të tepërta. Eni duket se ka gjetur gjuhën e përbashkët me Gjinin pa u përpjekur t’i imponojë vetes apo atij një rol të caktuar.

Zaimina Vasjari gjithashtu nuk mund të mos e vlerësojmë për marrëdhënien me dy vajzat e bashkëshortit të saj, Klodian Asllani, nga martesa e mëparshme. Edhe pse Zaimina ka zgjedhur të ruajë privatësinë sa i përket jetës së saj private dhe shumë rrallë flet publikisht, nga postimet e herëpashershme në rrjetet sociale kuptohet se ajo ka një marrëdhënie të shkëlqyer me dy motrat e mëdha të vajzës dhe djalit të saj.

Diola Dosti dhe Erolld Belegu janë një tjetër shembull i një familje që po ndërton një kapitull të ri, duke përfshirë edhe historitë që secili ka sjellë nga e kaluara. Diola, nënë e tri vajzave, ndan herë pas here momente nga përditshmëria e tyre, duke shpalosur marrëdhënien e afërt mes Erolldit dhe vajzave. Edhe biznesmeni ka folur publikisht për njohjen me to dhe raportin që kanë krijuar. Përmes këtyre momenteve, çifti tregon se një lidhje serioze nuk përfshin vetëm dy partnerë, por edhe botët e tyre familjare.

Burimi: bordo.al

Të fundit Të gjitha