TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, paraqiti sot në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9901, datë 14.4.2008, ‘Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare’”.
Qëllimi i nismës ligjore
Gjatë prezantimit, Musabelliu theksoi se nisma synon modernizimin e kuadrit ligjor për funksionimin e shoqërive tregtare, forcimin e transparencës dhe qeverisjes korporative, si dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt dhe të parashikueshëm për bizneset dhe investitorët.
Ai u shpreh se projektligji është pjesë e procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian, në kuadër të Kapitullit 6 “E drejta e shoqërive tregtare”, duke reflektuar kërkesat e direktivave evropiane për aspekte të ndryshme të funksionimit të shoqërive dhe të drejtave të aksionarëve.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me forcimin e transparencës dhe qeverisjes korporative, përmes parashikimit të rregullave më të detajuara për transaksionet me palët e lidhura, konfliktin e interesit, transparencën e vendimmarrjes dhe mbrojtjen e interesave të aksionarëve minoritarë.
Projektligji parashikon gjithashtu rregulla të reja për identifikimin e aksionarëve, komunikimin ndërmjet shoqërive dhe aksionarëve, publikimin e informacionit, ushtrimin e së drejtës së votës dhe raportimin për shpërblimet e administratorëve dhe anëtarëve të organeve mbikëqyrëse.
Sipas Musabelliut, këto masa synojnë të rrisin pjesëmarrjen e aksionarëve në vendimmarrje, të përmirësojnë kontrollin mbi drejtimin e shoqërive dhe të parandalojnë abuzimet.
Mbrojtja e aksionarëve dhe integriteti i drejtimit
Një tjetër element i rëndësishëm është forcimi i mbrojtjes së aksionarëve, veçanërisht atyre të pakicës, si dhe rritja e integritetit në drejtimin e shoqërive tregtare. Në këtë drejtim, projektligji parashikon kritere më të qarta për kualifikimin e administratorëve dhe anëtarëve të organeve drejtuese, me synimin që këto funksione të mos ushtrohen nga persona që nuk përmbushin kriteret ligjore.
Nisma synon edhe forcimin e mbrojtjes së kapitalit të shoqërive dhe të kreditorëve, përmes përmirësimit të rregullave për shpërndarjen e fitimeve, administrimin e aksioneve të veta dhe operacionet e bashkimit të shoqërive.
Musabelliu u ndal edhe te lehtësimi i veprimtarisë ndërkufitare të shoqërive tregtare, duke theksuar se projektligji qartëson rregullat për regjistrimin e degëve të shoqërive të huaja dhe synon harmonizimin e funksionimit të tyre me standardet e Bashkimit Evropian.
Sa u përket përfitimeve për bizneset, zëvendësministri vlerësoi se ndryshimet do të sjellin rregulla më të qarta për organizimin, administrimin dhe funksionimin e shoqërive tregtare, duke rritur sigurinë juridike për aksionarët dhe investitorët, si dhe besimin në qeverisjen korporative.
Ai theksoi se kjo nismë përbën një tjetër hap në procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë evropian dhe në përmbushjen e piketave të Kapitullit 6 të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
/gj.m/j.p/
Burimi: ata.gov.al









