Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Rama autokrat i fundit në Ballkan, Lubonja shpjegon lidhjen e protestave Shqipëri-Serbi

Rama autokrat i fundit në Ballkan, Lubonja shpjegon lidhjen e protestave Shqipëri-Serbi
Foto: balkanweb.com

Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24 me moderatoren Ola Bruko, ka komentuar protestat studentore kundër kryeministrit Edi Rama, si dhe zhvillimet politike në Serbi pas humbjes zgjedhore të Aleksandar Vuçiçit. Duke iu përgjigjur pyetjes nëse Rama mund të konsiderohet autokrati i fundit në Ballkan, Lubonja u shpreh se një përfundim i tillë është tepër optimist, pasi demokracia dhe liria kërkojnë mbrojtje të vazhdueshme.

Qëndrimi i Lubonjës për autokracinë dhe rënien e Vuçiçit

“Kjo më tingëllon optimiste, pasi liria dhe demokracia janë motive për të cilat duhet të luftojmë çdo ditë. Nëse ne humbasim vigjilencën, mund të na lindin autokratë. Rritjen e prirjeve autokratike e shohim edhe në Europë. Duke e krahasuar me vendet e tjera, Rama mund të quhet autokrati i fundit, por jo në kuptimin historik”, deklaroi Lubonja.

Analisti theksoi se rënia politike e Vuçiçit ishte një zhvillim i pritshëm, ndërsa u ndal te ngjashmëritë dhe dallimet mes lëvizjeve protestuese në Shqipëri dhe Serbi.

“Ishte gjë e hapur rënia e Vuçiçit. Gjithmonë një autokrat e ka një fund, kjo dihet. Ajo që më ka interesuar është krahasimi me Shqipërinë, ngjashmëritë dhe diferencat”, u shpreh ai.

Sipas Lubonjës, karakteristika kryesore që bashkon protestat në të dy vendet është natyra e tyre heterogjene, me pjesëmarrjen e qytetarëve që kanë bindje të ndryshme politike dhe ideologjike.

Ngjashmëritë dhe dallimet mes protestave në Shqipëri e Serbi

“Ngjashmëria kryesore që gjej unë është se këto lëvizje, lëvizja në Serbi që zgjati një vit e gjysmë dhe ‘Flamingo’ këtu, si dhe revolta studentore, janë lëvizje heterogjene. Nuk ka një formë homogjene politike që qëndron kundër Vuçiçit. Në Serbi, ashtu si tek ne, gjen liberalë demokratë, forca më të majta që mbështesin shtetin social, ekologjistë, konservatorë dhe profesionistë që nuk kanë domosdoshmërisht një orientim politik, por janë të angazhuar”, tha analisti.

Ai argumentoi se ajo që i bashkon këto grupe është kundërshtimi ndaj mënyrës së qeverisjes, të cilën e cilësoi autoritare.

“I bashkon regjimi autoritar që ka ndërtuar Vuçiçi, me kërkesa delegjitimuese që i imponohen demokracisë. Ka media të kapura, korrupsion. Ne mund të shtojmë krimin e organizuar, që mund ta kemi më të shpeshtë këtu. Ne kemi si synim largimin e Ramës”, deklaroi Lubonja.

Duke analizuar dallimet mes dy vendeve, Lubonja vlerësoi se lëvizja studentore serbe arriti të krijojë një organizim të përbashkët politik, ndërsa në Shqipëri, sipas tij, mungon aftësia për të bashkuar grupimet e ndryshme rreth një qëllimi të vetëm.

“Ndryshimi mes Shqipërisë dhe Serbisë është se këta të fundit u bashkuan për të rrëzuar regjimin e Vuçiçit. Ata u bashkuan dhe krijuan ‘Listën e Studentëve’, me studentë dhe profesorë. Ajo ku kemi dështuar ne është bashkimi, aftësia për ta bërë këtë gjë, që ka të bëjë me çështjet tona kulturore”, u shpreh ai.

Lubonja tregoi se ka marrë pjesë çdo ditë në protestat e lëvizjes “Flamingo” dhe se ka vërejtur nga afër vështirësitë e organizimit.

“Kam qenë pjesë e ‘Flamingos’ përditë, i di edhe dinamikat. Të gjithë ishin në bulevard, por bashkimi do të thotë të ndërtosh këto mjete dhe të mos luftosh me njëri-tjetrin se kush do të jetë kapoja. Kjo është sëmundje shqiptare”, deklaroi analisti.

Ai kritikoi edhe partitë e vogla politike, të cilat, sipas tij, nuk kanë arritur të krijojnë bashkëpunim mes tyre, edhe kur kanë marrë pjesë në të njëjtat protesta.

“Po të shohësh edhe partitë tona të vogla, nuk kanë arritur të bashkohen së bashku. Edhe në atë protestë ishin të veçuara. Paaftësia për të bashkuar interesat personale me ato të grupit i ka dëmtuar shqiptarët”, tha Lubonja.

Analisti solli edhe një krahasim historik për të argumentuar se shoqëria shqiptare ka pasur prirjen të organizohet rreth një lideri, në vend që të ndërtojë struktura të përbashkëta.

“Neve edhe Partinë Komuniste nuk e formuam vetë, por na erdhën nga Serbia dhe e krijuan. Ne bashkohemi, por duke kërkuar një lider që të na bashkojë dhe t’i nënshtrohemi atij”, u shpreh ai.

Në përfundim, Lubonja theksoi se vijimi dhe forcimi i rezistencës qytetare kërkon një ndryshim të mentalitetit, ku interesat e përbashkëta të vendosen mbi ambiciet individuale.

“Ajo që kërkohet tani, që ky proces i rezistencës të avancojë, është që në mendjen e çdo individi të ndryshojë mentaliteti: të bashkohesh mbi diçka që është përtej interesit tënd”, përfundoi Lubonja.

Burimi: www.balkanweb.com

Të fundit Të gjitha