Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Çfarë parashikon paketa fiskale që po kundërshtohet nga bizneset

Çfarë parashikon paketa fiskale që po kundërshtohet nga bizneset
Foto: shqiptarja.com

Që prej janarit të vitit 2021, bizneset që kanë një xhiro vjetore deri në 10 milionë lekë nuk kanë pasur detyrimin për të paguar TVSH-në. Premtimi fillestar ishte që kjo lehtësi të vazhdonte deri në vitin 2029.

Ndryshimi i pragut të TVSH-së

Megjithatë, qeveria ka vendosur të ndryshojë këtë politikë duke e ulur pragun nga 10 milionë në 5 milionë lekë në vit. Konkretisht, duke nisur nga 1 janari i vitit 2027, të gjitha bizneset që kalojnë xhiron prej 5 milionë lekësh do të detyrohen të paguajnë TVSH-në, e cila parashikohet të jetë në masën 21%.

Në relacionin që shoqëron këtë vendim, i cili pritet të miratohet në qeveri, theksohet se kufiri i regjistrimit të bizneseve për TVSH në Shqipëri është më i larti në krahasim me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Ulja e kufirit minimal të regjistrimit synon rritjen e formalizimit të aktivitetit ekonomik dhe krijimin e një kuadri fiskal më gjithëpërfshirës dhe transparent, nëpërmjet formalizimit të mëtejshëm të zinxhirit të transaksionit të mallrave dhe shërbimeve, si dhe zgjerimit të mëtejshëm të bazës së tatimpaguesve”, thuhet në relacion.

Ky ndryshim i pragut do të prekë 17.516 tatimpagues, të cilët do të përfshihen në skemën e TVSH-së dhe praktikisht do të fillojnë ta paguajnë atë.

“Përfshirja e subjekteve në regjimin normal të TVSH-së mundëson deklarimin e transaksioneve të shitjeve dhe blerjeve nga të gjitha palët e përfshira në transaksion, duke mundësuar gjithashtu kryqëzimin e këtij informacioni në funksion të mirëadministrimit të tatimit”, thuhet në relacion.

Parashikohet që buxheti i shtetit të përfitojë rreth 4.5 miliardë lekë të ardhura shtesë nga ky ndryshim.

Rritja e tatimit mbi fitimin dhe dividentin

Një barrë më e madhe fiskale parashikohet edhe për bizneset e mëdha që kanë xhiro mbi 14 milionë lekë. Tatimi mbi të ardhurat për korporatat, ose tatimi mbi fitimin, do të rritet nga 15% që është aktualisht në 17% duke nisur nga viti i ardhshëm.

Shoqata ProEksport Albania vlerëson se kjo rritje e tatimit vetëm sa e rëndon më tej gjendjen e sipërmarrjes, ndërsa thekson se nuk është parashikuar asnjë masë lehtësuese.

Gjithashtu, parashikohet një rritje e ndjeshme edhe për tatimin mbi dividentin. Sipas propozimit, pjesa e fitimit neto që një shoqëri u shpërndan aksionarëve do të tatohet me 15 përqind, nga 8 përqind që është në fuqi që prej vitit 2019.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha