Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Politikë

Tirana në kaos nga protesta e PD-së, përplasje dhe molotovë

Tirana në kaos nga protesta e PD-së, përplasje dhe molotovë

Protestat e ditës nisën me deputetët dhe militantët e Partisë Demokratike. Ata u mblodhën fillimisht përpara selisë së PD-së dhe më pas marshuan në drejtim të Kryeministrisë.

Përplasjet e të rinjve në Rrugën e Durrësit

Ndërkohë, protesta e të rinjve nisi në Rrugën e Durrësit rreth orës 14:00, ku filluan të hedhin gurë drejt Ministrisë së Arsimit dhe efektivëve që kishin ngritur disa kordone në këtë aks. Protestuesit e rinj i vunë flakën disa koshave që i afruan efektivëve për t’i bllokuar, por këta të fundit u përgjigjën me ujë dhe gaz lotsjellës, duke arritur që brenda minutash të zbraznin Rrugën e Durrësit.

Të ndarë në disa grupe, protestuesit vazhduan përballjen me efektivët në sheshin Skënderbej dhe më pas u rigrupuan në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë Kryeministrisë, ku u zhvillua një nga përplasjet më të forta që nga data 13 tetor, kur nisi protesta e dhunshme.

Në rreshtin e parë të frontit u vendosën disa të rinj, si grupi më aktiv i protestuesve, të cilët hodhën molotovë drejt frontit të Policisë, që kishte angazhuar rreth 2000 forca në terren. Për të zmbrapsur protestuesit, u përdorën autobotët ujëhedhës, plumbat e gomës, spraj me piper dhe gaz lotsjellës në masë.

Protestuesit u shpërndanë në zona të ndryshme të kryeqytetit, duke krijuar disa fronte “lufte”, ku herë përparonin protestuesit dhe herë avanconin policët.

Një nga dyert e Ministrisë së Bujqësisë u përfshi nga flakët, të cilat më pas u vunë nën kontroll nga zjarrfikësit.

Qetësi nuk pati as në rrugën e Myslym Shyrit, ku banorët dhe bizneset u gjetën të papërgatitur kur policia marshoi në ndjekje të protestuesve, por pa shkaktuar incidente në zonë.

Përballja në sheshin Skënderbej dhe dëmet në Tiranë

Beteja vazhdoi gjatë pasdites kryesisht në sheshin Skënderbej, ku të rinj të maskuar dhe me shkopinj u përplasën me policët, ndërsa tymueset e këtyre të fundit u kthyen në një lojë ping-pongu mes dy palëve.

Një prej protestuesve dhe një efektiv u përfshinë nga flakët dhe morën ndihmë nga kolegët, ndërsa në spital u paraqitën për ndihmë mjekësore një deputet, katër protestues, një polic dhe dy përfaqësues të medias.

Gjatë pasdites protestuesit sulmuan me breshëri fishekzjarrësh selinë e Partisë Socialiste, ndërsa fishekzjarrë u hodhën edhe në drejtim të efektivëve të policisë pranë Bankës së Shqipërisë. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë me presion, në përpjekje për të larguar protestuesit nga zona.

Tensionet u shoqëruan edhe me akte të tjera shkatërrimi në kryeqytet. Një kioskë pranë qendrës së Tiranës u përfshi nga flakët pasi protestuesit i vunë zjarrin. Gjithashtu, protestuesit i vunë flakën kazanëve të mbeturinave dhe thyen xhamat e disa bizneseve, mes tyre edhe të një banke të nivelit të dytë në zonën e “Vasil Shantos”.

Përplasjet e pasdites sollën edhe persona të lënduar. Mes tyre janë dy qytetarë që kanë marrë plagë në trup nga plumbat e gomës gjatë përplasjeve me policinë.

Krahas të rinjve dhe studentëve, protestës së sotme iu bashkuan pedagogë, mjekë dhe sindikata e biznesit të vogël, Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias, por edhe demokratët, të cilët gjatë paradites zhvilluan një tubim paqësor pranë Kryeministrisë, ku i vetmi incident ishte djegia e shilteve të vendosura nga kryeministri Edi Rama si ftesa e katërt për dialog.

Burimi: sot.com.al

Të fundit Të gjitha