Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka deklaruar se Byroja për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme mund të kthehet në një instrument politik dhe të dëmtojë sigurinë juridike të qytetarëve, nëse nuk bëhen ndryshime mes dy leximeve të projektligjit.
Kuvendi ka në rend dite të enjten leximin e dytë të këtij projektligji.
Në një konferencë për shtyp, përfaqësues të organizatës joqeveritare GLPS kanë deklaruar se projektligji aktual nuk i trajton gjetjet e Gjykatës Kushtetuese dhe vërejtjet e shoqërisë civile. GLPS ka kërkuar që Kuvendi të mos e votojë këtë projektligj pa u adresuar disa çështje.
Shqetësimet e GLPS-së për projektligjin
Ndër pikat që kjo organizatë vlerëson se vazhdojnë të jenë në kundërshtim me aktgjykimin e vitit 2023 të Gjykatës Kushtetuese janë periudha deri kur mund të hetohet pasuria dhe pavarësia funksionale e Byrosë.
Këtu janë renditur katër pika. Pika e parë, sipas GLPS-së, është se Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se verifikimi dhe konfiskimi i pasurisë së zyrtarëve nuk mund të bëhet për më shumë se 10 vjet, për shkak të pamundësisë për të siguruar provat. Megjithatë, projektligji vazhdon të përmbajë dispozitën sipas së cilës kësaj procedure do t’i nënshtrohet çdo pasuri dhe çdo person zyrtar në çdo kohë nga data 17 shkurt 2008.
Pika tjetër është se Byroja, sipas GLPS-së, me projektligjin aktual rrezikon të shërbejë më shumë si mjet politik sesa si mekanizëm për konfiskim civil.
“Është shqetësuese fakti se dispozitat aktuale parashikojnë një shumicë të thjeshtë për emërimin e Drejtorit dhe tre anëtarëve të Byrosë, dhe se kandidatët për këto pozita duhet të plotësojnë një prag minimal prej vetëm 5 vjetësh përvojë pune”, thuhet në reagim.
Në projektligjin që është para deputetëve për votim, sipas GLPS-së, nuk garantohet siguria juridike e subjekteve që potencialisht mund të jenë subjekt i verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë. Sipas reagimit, ekziston mundësia që Byroja në çdo fazë të tërhiqet nga propozimi për konfiskim dhe të mos specifikojë “në mënyrë të qartë se a do të mund të iniciohet procedurë penale nëse me provat e mbledhura në procedurën e konfiskimit ka indicie që e njëjta është fituar përmes veprës penale”.
Në pikën e katërt është thënë se ligji nuk siguron barazi të palëve në procedurën e konfiskimit civil.
“Dispozitat aktuale nuk sigurojnë barazi të palëve në procedurën e konfiskimit civil, përkatësisht ato përcaktojnë që subjekti të merret në pyetje nga gjykata, zyrtari i Byrosë dhe pala e tretë në seancë lidhur me pasurinë që është objekt shqyrtimi. Pra, ndonëse fryma e zbatimit të procedurës së konfiskimit civil është tërësisht kontestimore, këto dispozita përcaktojnë elemente që e vënë në pikëpyetje zhvillimin e një procedure të paanshme”, thuhet në reagimin e GLPS-së për këtë pikë.
Kjo organizatë ka shprehur shqetësimin për procedurën mes dy leximeve. Në reagim është thënë se grupi punues nuk ka arritur t’i shqyrtojë në detaje përmbajtjen e projektligjit, amendamentet e propozuara, rekomandimet dhe analizat ligjore.
“Për më tepër, mbajtja e takimeve të grupit punues në të njëjtin orar me grupe të tjera punuese në projektligjet e reformës në drejtësi dhe brenda një kohe të shkurtër, pamundëson kontributin e anëtarëve në shqyrtimin e përmbajtjes së Projektligjit, duke e kaluar këtë procedurë si formalitet”, thuhet në një komunikatë të GLPS-së.
Historiku i ligjit
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ia kishte rrëzuar Qeverisë Kurti dy herë Ligjin për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, së pari në vitin 2024 dhe pastaj në fillim të këtij viti.
Ky ligj synon që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse ka dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme.
Burimi: www.gazetaexpress.com










