Anna Zhubi, një mike e ngushtë e Arlinda Zekajt, e cila dyshohet se u vra nga ish-kunati i saj në Pejë, ka folur për njohjen dhe marrëdhënien e saj me të ndjerën.
Zhubi e kujtoi Arlindën si një grua të dashur, të sinqertë dhe të afërt. Sipas saj, ajo kishte të gjitha tiparet e një gruaje të mirë dhe të respektuar.
“Arlinda ishte e fortë, pa dyshim, por edhe shumë e dashur, e afërt, e sinqertë dhe e butë. Kishte të gjitha cilësitë pozitive që vlerësoheshin në rrethin tonë: të ishte nuse e mirë, e respektueshme, e dashur, e afërt dhe e butë”, u shpreh ajo.
Miqësia dhe problemet e mëparshme të bashkëshortit
Ajo tregoi se miqësia mes tyre nisi përmes bashkëshortëve, të cilët njiheshin si shokë.
Sipas Zhubit, bashkëshorti i Arlindës kishte pasur telashe me ligjin në Shtetet e Bashkuara shumë kohë përpara se të lidhej me të. Ajo përmendi një denoncim të mëhershëm për dhunë në familje dhe burgosjen e tij.
“U njohëm përmes bashkëshortëve tanë, që ishin shokë, dhe kështu nisi njohja. Në të vërtetë, Jetoni kishte pasur probleme në Amerikë shumë përpara Arlindës. Në vitet 2000-2001, ai ishte i martuar me një shtetase amerikane dhe kishte dy vajza binjake me të. Që në atë kohë ishte denoncuar për dhunë në familje dhe kishte qëndruar në burg për vite. Si pasojë e burgosjes, humbi kontaktet me dy vajzat. Pra, fakti që ishte një lloj dhunuesi nuk ishte i ri në raportin me Arlindën”, deklaroi Zhubi.
Burimi: www.albeu.com










