Më 22 tetor 2022, Arlinda Zekaj ka njoftuar Policinë për kunatin e saj, Albert Sylaj, duke e akuzuar atë për kërcënim dhe uzurpim të shtëpisë e cila, sipas saj, ishte në bashkëpronësi me ish-bashkëshortin Jeton Sylaj. Në lidhje me këtë rast, Albert Sylaj u mor në pyetje nga Policia si dëshmitar.
Nga deklarata e siguruar rezulton se Zekaj ka thënë se pas vendimit të gjykatës për urdhër mbrojtje, të lëshuar më 16 tetor, Alberti ishte vendosur në shtëpinë e saj bashkë me bashkëshorten, fëmijët dhe nënën e tij, pa pëlqimin e saj.
“Gjithashtu asnjëherë më parë nuk kanë jetuar aty, por vetëm pas marrjes së aktvendimit për urdhër mbrojtje. Unë jam bashkëpronare, këta më kanë uzurpuar shtëpinë, nuk mund të bashkëjetoj me ta dhe as si mysafir nuk mund të jenë. Kunati Alberti më ka kërcënuar me fjalët ‘Largohu, largohu se të vras’ në momentin kur kam dashur të marr telekomandën e televizorit. Nuk më lejon të jetoj aty, as në kuzhinë të marr bukë apo ujë dhe as televizorin të përdor, ashtu siç është dëgjuar në stacionin policor ku ka bërtitur në të njëjtën mënyrë më ka bërtitur edhe mua në shtëpi, plus me jetë po më kërcënon”, kishte deklaruar Zekaj më 22 tetor.
Deklarata e Albert Sylajt në Polici
Ndërkohë, Albert Sylaj, i cili tashmë dyshohet për vrasjen e Arlinda Zekajt, i ka mohuar në deklaratën e dhënë në Polici akuzat për kërcënim. Ai ka deklaruar se prej tre apo katër muajsh po qëndronte në shtëpinë e vëllait me lejen e tij.
Sylaj mohoi ta kishte kërcënuar Zekajn dhe pretendoi se ishte ajo që kishte nxitur situatën.
“Kam shikuar televizor dhe Arlinda ka filluar të bëjë skena dramatike me qëllim që të na provokojë familjarët e mi dhe mua. Kur unë e kam lëshuar klimën, e njëjta e ka ndalur. Dua të cek se, përderisa fëmijët ishin duke bërë detyrat e shkollës, ajo e ka hapur dritaren, fëmijët kanë filluar të narthin, duke u pamundësuar atyre të bëjnë detyrat e tyre. Pastaj, kur unë kisha telekomandën e televizorit duke shikuar televizorin, e njëjta është çuar dhe ka tentuar që ta marrë me zor telekomandën dhe unë nuk e kam lejuar, ku i kam thënë ‘më lërë rehat dhe mos më provoko’. Pastaj ka ardhur nëna ime dhe e ka marrë telekomandën, ia ka dhënë Arlindës dhe kaq ka qenë aty, ku pastaj në shtëpi është paraqitur patrulla policore”, ka thënë Sylaj.
Urdhri i mbrojtjes i 16 tetorit
Sinjali kishte raportuar më herët se, në aktvendimin e datës 16 tetor, gjyqtari Kastrati i kishte ndaluar Jeton Sylajt, bashkëshortit të Zekajt, që në shtëpinë ku jetonin të dy t’i afrohej asaj në një distancë më të vogël se 2 metra.
Vendimi përcaktonte gjithashtu që në rrugë, qytet, shkollë apo në vendin e punës, distanca duhej të ishte 20 metra.
“Në distancë prej 2 metra në shtëpinë ku është duke qëndruar tani pala e mbrojtur, në rrugë, qytet, fshat, shkollë apo vendin e punës në distancë prej 20 metra, si dhe i NDALOHET në të ardhmen të ushtrojë dhunë fizike dhe psiqike, të bllokojë lëvizjen e viktimës, ta ofendojë, ta shqetësojë dhe ta kërcënojë palën e mbrojtur”, thuhet në aktvendimin e siguruar nga Sinjali.
Burimi: www.albeu.com










