Para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, organizata QIKA zhvilloi një aksion simbolik lidhur me vrasjen e Arlinda Sylaj Zekaj, duke i bërë thirrje institucioneve përgjegjëse të mbajnë përgjegjësi. Bojë e kuqe u hodh në shkallët e ndërtesës, ndërsa pranë hyrjes u vendos një pankartë me mesazhin “Shteti e vrau Arlindën”.
Aktivistja e QIKA-s, Blenda Asllani, deklaroi se të gjitha institucionet të cilat, sipas saj, dështuan ta mbrojnë Zekajn, duhet të hetohen dhe të sillen para drejtësisë.
Sipas Asllanit, boja e kuqe e hedhur në shkallët e qeverisë përfaqëson akuzën ndaj shtetit për mosreagim dhe mosmbrojtje të jetës së viktimës.
Asllani: Shteti duhet të mbajë përgjegjësi për ngjarjen tragjike në Pejë
“Institucionet që kontribuan në mosmbrojtjen e Arlindës duhet të hetohen dhe të mbajnë përgjegjësi para ligjit. Boja e kuqe që hodhëm sot në shkallët e qeverisë është një akuzë. Ajo përfaqëson kujtimin e jetëve të humbura dhe përgjegjësinë që shteti duhet të mbajë. Shteti e vrau Arlindën, prandaj shteti duhet të mbajë përgjegjësi”, tha Asllani.
Arlinda Zekaj u vra të dielën në mbrëmje në Vitomiricë të Pejës. Kunati i saj dyshohet për vrasjen dhe, sipas informacioneve publike, vazhdon të jetë në arrati.
Ngjarja besohet të ketë ndodhur në shtëpi, ndërsa informacionet fillestare tregojnë se viktima mund të jetë vrarë me sëpatë.
Më 22 tetor, vetëm tre ditë para se të vritej, Zekaj kishte dorëzuar një ankesë me shkrim pranë kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Pejë. Në dokument, ajo kërkonte marrjen e masave urgjente ndaj zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse, duke pretenduar se ata nuk i kishin kryer detyrat zyrtare.
Dokumenti, me vulën e pranimit të datës 22 tetor, tregonte se Zekaj kishte paralajmëruar për rrezikun që i kanosej. Ajo kishte shprehur gjithashtu frikën se institucionet do të vepronin vetëm pasi të humbte një jetë.
Burimi: www.albeu.com









