Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Maliq, AIDSSH sjell dëshmi nga periudha e diktaturës komuniste

Maliq, AIDSSH sjell dëshmi nga periudha e diktaturës komuniste
Foto: rtsh.al

Në Maliq është organizuar aktiviteti i radhës nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në kuadër të platformës edukative “Mësojmë nga e Kaluara”. Përmes një diskutimi rreth filmit “Vitet e para”, prodhim i vitit 1965, dhe dokumenteve arkivore, u rikthye në vëmendje historia e tharjes së Kënetës së Maliqit, si dhe përndjekja e inxhinierëve dhe e të burgosurve politikë në kampin e Vloçishtit.

Ndikimi i filmave dhe letërsisë komuniste në kujtesën kolektive

Diskutimi u fokusua te mënyra se si filmat dhe letërsia e periudhës komuniste ndikuan në kujtesën kolektive, duke i paraqitur si armiq të regjimit persona që ishin dënuar për arsye politike.

“Është një platformë e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, që synon të sjellë një narrativë të rishkruar dhe fakte që na tregojnë pjesën e munguar të diktaturës komuniste, atë që ndoshta ende nuk është e qartë në kurrikula dhe në shkolla, as për brezin e ri dhe as për mësuesit e rinj”, u shpreh Rovena Rozhani, Specialiste e edukimit qytetar.

Përmes dokumenteve arkivore dhe dëshmive familjare, pjesëmarrësit sollën fakte mbi këtë periudhë dhe pasojat e përndjekjes te individët dhe familjet e tyre.

Fakte dhe dëshmi përballë propagandës së realizmit socialist

“Nuk duhet të ngatërrojmë rolin artistik që kanë luajtur aktorët tanë me skenarët e filmave të realizmit socialist, të cilët, në të shumtën e rasteve, janë mbushur me propagandë. Këtë propagandë duhet ta ballafaqojmë me faktet, provat dhe dëshmitë që kemi”, tha Skënder Vrioni, Anëtar i AIDSSH.

Aktiviteti synon të nxisë mendimin kritik te të rinjtë dhe njohjen e së kaluarës përmes dokumenteve dhe burimeve historike.

Gazetare: Eftjola Fili

/rtsh.al/

Burimi: rtsh.al

Të fundit Të gjitha