TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) publikoi një grup të dhënash që krahasojnë nëntë mujorët e parë të viteve 2024, 2025 dhe 2026.
Këto shifra ofrojnë një pasqyrë të zgjerimit të aktivitetit të IKTK-së në disa drejtime kryesore: rritja e të ardhurave, shtimi i investimeve, intensifikimi i projekteve të konservimit dhe kërkimit, si dhe forcimi i monitorimit arkeologjik dhe i kuadrit rregullator.
Të ardhurat dhe investimet
Një nga treguesit më të rëndësishëm është rritja me 93% e të ardhurave krahasuar me vitin 2025. Njëkohësisht, investimet në pasurinë kulturore shënojnë një rritje prej 400%. Një fushë tjetër me përparim të dukshëm është ajo e projekteve të konservimit, restaurimit dhe kërkimit arkeologjik. Sipas të dhënave, numri i projekteve është rritur me 282% krahasuar me vitin 2024, ndërsa rritja e raportuar ndaj vitit 2025 është 133%. Këto shifra pasqyrojnë një intensifikim të ndërhyrjeve në monumente dhe site arkeologjike, duke përfshirë konservimin, restaurimin, sondazhet, gërmimet dhe vëzhgimet arkeologjike.
Site të reja dhe monitorimi arkeologjik
Si rrjedhojë, janë identifikuar 21 site të reja arkeologjike në 9 muajt e parë të vitit 2026, me shtrirje territoriale në Shkodër, Lezhë, Lushnjë, Fier, Korçë, Ersekë, Pogradec, Divjakë, Sarandë etj. Në të njëjtën kohë, të dhënat tregojnë një rritje të konsiderueshme të monitorimeve arkeologjike, me 279% ndaj vitit 2025. Në mbështetje të këtij procesi është bërë edhe zgjerimi i kuadrit rregullator. Numri i akteve nënligjore të miratuara arrin në 8 në vitin 2026, ndërkohë që IKTK evidenton edhe akt-marrëveshjet për monitorimin arkeologjik, të cilat janë rritur me 32% ndaj vitit 2025, ndërsa krahasimi me vitin 2024 tregon një rritje prej 164%. /j.p/
Burimi: ata.gov.al









