MAYA ANGELOU
Hije mbi mur që lëvizin
Zhurma në korridor, jashtë
Jeta nuk më bën aspak frikë
Qentë që lehin pa pushim
Në re fantazmat e mëdha
Jeta nuk më bën aspak frikë
Nënë Rosa, shtrigë e vjetër
Luanët që enden pa kufi
Jeta nuk më bën aspak frikë
Dragonj që nxjerrin flakë
Mbi shtratin tim si kuvertë
Jeta nuk më bën aspak frikë
U them: hu!
U them: mjerë ju!
Ata më bëjnë të qesh
Kur i shoh si turren
Qerpiku s’më dridhet
Ata i kap paniku
Unë buzëqesh
Ata marrin e çmenden
Djem të këqij që rrihen paq
Gjithë natën e gjatë
Jeta nuk më bën aspak frikë
Panterat në park
Çuditë e territ përqark
Jo, ato nuk më trembin aspak
Klasa e re
Ajo klasa e re e mëvonshme
Ku djemtë m’i shkulnin flokët
(vajzë e llastuar
me flokë kaçurrela)
Ata nuk më trembin aspak
Mos m’i trego gjarpërinjtë e zhabat
Që presin prej meje piskama
Nëse ndiej ndonjë ankth
Kjo më ndodh vetëm në makth
Diku këtu, nën mëngë
E mbaj të fshehur magjinë
Mund të eci nëpër shtratin e detit
Dhe të mos marr kurrë frymë
Jeta nuk më bën aspak frikë
Aspak
Aspak
Jeta nuk më bën aspak frikë/ KultPlus.com
Burimi: kultplus.com









