Zëvendësdrejtori i Doganës së Maqedonisë së Veriut, Mustafa Dauti, mori pjesë në emisionin “PodGo”, ku bëri fjalë për punën e doganierëve, kushtet e tyre të punës, si dhe mallrat që përpiqen më shpesh të kontrabandohen.
Sipas Dautit, institucioni po punon me përkushtim dhe seriozitet të lartë, dhe ai e cilësoi këtë si një nga periudhat më efikase të Doganës.
Konfiskimet gjatë dy viteve të fundit
Gjatë dy viteve të fundit, Dogana ka sekuestruar rreth 400 kilogramë drogë, afërsisht 5 kilogramë ar dhe më shumë se 2 milionë euro në cash. Përveç këtyre, janë konfiskuar edhe mbi 50 mijë ilaçe.
Dauti deklaroi se kontrollet e shtuara kanë për qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe të bizneseve. Përveç kontrolleve në pikat kufitare, në terren vepron edhe një njësi mobile, e cila kryen kontrolle të paparalajmëruara në rrugë.
Ndër produktet që kontrabandohen më shpesh, ai përmendi drogën, arin, cigaret, barnat dhe artikuj të ndryshëm tekstili. Ai shtoi se Dogana kujdeset veçanërisht që në treg të mos hyjnë produkte jocilësore, ndërsa ekspertët e institucionit verifikojnë standardet e tyre për të mbrojtur shëndetin e njerëzve.
Paratë e sekuestruara dërgohen në Bankën Popullore, ndërsa droga dhe armët i dorëzohen Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku më pas asgjësohen. “Jemi duke punuar me përkushtim dhe seriozitet, sepse gjithçka është në dobi të shtetit dhe qytetarëve. Mendoj se sekuestrimi i mbi 50 mijë ilaçeve dhe sasive të tjera të konfiskuara nuk është një punë e vogël”, tha Dauti.
Importi i automjeteve dhe porositë online
I pyetur për procedurën e importimit të automjeteve, zëvendësdrejtori shpjegoi se Dogana përdor një platformë të posaçme ku regjistrohen të gjitha të dhënat e veturës. Pasi ajo paraqitet në terminalet doganore, sistemi përcakton automatikisht shumën që duhet paguar.
Ai theksoi se sistemi i ri nuk lejon manipulime, pasi ekzistojnë kontrolle që verifikojnë nëse i njëjti automjet është zhdoganuar me të njëjtin çmim. Dauti shtoi se për keqpërdorime të kryera në të kaluarën ka pasur raste të panumërta të dërguara në Prokurori.
Lidhur me porositë online nga jashtë vendit, Dauti tha se kompanitë e huaja i paguajnë tatimet ndaj shtetit. Ai sqaroi se në dhjetor të vitit të kaluar ndryshoi ligji për këto porosi: më herët, për dërgesat deri në 22 euro nuk kishte asnjë detyrim, ndërsa tani TVSH-ja duhet paguar për produktet deri në 90 euro. Për vlerat mbi 90 euro aplikohet edhe detyrimi doganor, i cili përfshihet në çmimin e produktit dhe nuk paguhet veçmas nga qytetarët.
Dauti bëri të ditur gjithashtu se doganierët e Maqedonisë së Veriut marrin trajnime brenda dhe jashtë vendit, në bashkëpunim me organizata të huaja./Telegrafi/
Burimi: www.albeu.com









