Liverpooli po përgatit tashmë të ardhmen pa Virgil van Dijkun, ndërsa klubi anglez tregon interes të konsiderueshëm për një futbollist që është quajtur “e ardhmja e futbollit evropian”.
Van Dijku ka qenë një shtyllë e Liverpoolit që nga transferimi nga Southampton për 75 milionë funte në vitin 2017.
Ai është shndërruar në njërin prej mbrojtësve më të mirë në botë dhe gjatë nëntë viteve të jashtëzakonshme në “Anfield” ka fituar çdo trofe të mundshëm në futbollin anglez.
Megjithatë, gjiganti nga Merseyside e pranon se çdo gjë e mirë e ka një fund dhe, në moshën 35-vjeçare, holandezi po i afrohet fundit të karrierës.
Kontrata e tij me Liverpoolin skadon në qershor të vitit 2027, ndërsa raportohet se Andoni Iraola po përgatit terrenin për një zëvendësues afatgjatë të kapitenit të tij.
Interesi për Luka Vuskovic
Sipas “TEAMtalk”, Liverpooli, Real Madridi dhe Barcelona janë të gjitha “seriozisht të interesuara” për transferimin e mbrojtësit të Brighton & Hove Albion, Luka Vuskovic.
Reprezentuesi kroat iu bashkua Brightonit nga Tottenham Hotspuri vetëm gjatë verës, për një shumë rekord prej 50 milionë funtesh për klubin, por paraqitjet e tij mbresëlënëse në Premierligë kanë tërhequr vëmendjen e klubeve më të mëdha të Evropës.
Vuskovic është shndërruar në njërin prej mbrojtësve më premtues të Premierligës. Dominimi i tij në duelet ajrore, qetësia me topin dhe fiziku i fuqishëm ia kanë rritur reputacionin mes talenteve më të mira të futbollit botëror.
Edhe pse është vetëm 19-vjeçar, Vuskovic shihet si një mbrojtës i kompletuar, i cili mund ta zëvendësojë Van Dijkun në “Anfield”.
Megjithatë, “TEAMtalk” raporton se deri më tani nuk janë ndërmarrë hapa konkretë dhe se çdo ofertë zyrtare pritet të bëhet me synimin për transferim verën e ardhshme.
Më e rëndësishmja për Brightonin është se klubi nuk është nën “asnjë presion për ta shitur” futbollistin e tij të çmuar.
Adoleshenti ka kontratë me klubin në stadiumin “Amex” deri në vitin 2031 dhe tashmë është bërë pjesë e rëndësishme e planeve taktike të Fabian Hurzelerit.
Edhe Bayern Munichu e ka përcjellë Vuskovicin prej një kohe të gjatë, pasi e pa duke shkëlqyer gjatë huazimit te Hamburgu sezonin e kaluar.
Ajo që mund t’ia vështirësojë punën Liverpoolit është fakti se kroati thuhet se është “i hapur” për t’iu bashkuar gjigantit gjerman në të ardhmen.
Vlerësimi i Darijo Srna
I konsideruar gjerësisht si një yll i ardhshëm, legjenda e futbollit kroat, Darijo Srna, beson se ai është “e ardhmja e futbollit evropian”.
Në një intervistë për “Flashscore” në qershor, Srna shprehu bindjen se talenti i ri mund të arrijë majat e futbollit botëror.
“E njoh Lukën që kur ishte fëmijë, sepse kam luajtur në grupmoshat e reja të Hajduk Splitit me babanë e tij, Danijelin”, tha Srna, i cili ka numrin e tretë më të madh të paraqitjeve për Kroacinë, me 134 ndeshje.
“Ai është një mik shumë i mirë i imi. I njoh Lukën dhe Marion, dy djemtë e tij. Janë fëmijë të mrekullueshëm, me talent të jashtëzakonshëm. Luka tashmë ka treguar se e pret një e ardhme e jashtëzakonshme. Ai luan me aq shumë vetëbesim, saqë më krijon përshtypjen se është një futbollist 25-vjeçar. Pa dyshim, ai është pjesë e së ardhmes së futbollit evropian dhe e kombëtares së Kroacisë”, shtoi ai.
Pas rolit të rëndësishëm në fillimin e shkëlqyeshëm të Brightonit në Premierligë, duke e ndihmuar skuadrën të grumbullojë 16 pikë në tetë ndeshje, shumëkush mund të pyesë se si po krahasohet Vuskovic me Van Dijkun këtë sezon.
Sipas të dhënave të “FotMob”, ylli i Brightonit ka shifra më të mira se holandezi në duelet ajrore të fituara për 90 minuta këtë sezon, me 4.07 kundrejt 3.5.
Ai gjithashtu ka më shumë rikuperime të topit, 4.19 kundrejt 3.38, si dhe më shumë ndërhyrje të suksesshme, 1.14 kundrejt 1.
Edhe pse epërsia e tij në këto statistika mbrojtëse është e ngushtë, Vuskovic ka shifra paksa më të mira edhe në lojën me topin.
Ai ka realizuar më shumë driblime të suksesshme dhe ka përqindje pak më të lartë të pasimeve të sakta, ndonëse mbetet prapa Van Dijkut në pasimet që thyejnë linjat kundërshtare.
Vuskovic tashmë po dëshmon se është një mbrojtës i kompletuar dhe i jashtëzakonshëm, pavarësisht moshës së re.
Nëse Liverpooli arrin ta transferojë si pasardhës të legjendës së klubit, ai mund të ndjekë gjurmët e Van Dijkut dhe të bëhet një tjetër figurë e madhe në “Anfield”./GazetaExpress/
Burimi: www.gazetaexpress.com









