Fitoi garën e kampionëve, por ende nuk e ka marrë trofeun. Kimi Antoneli, gjithsesi, bëri hapin më të madh deri tani drejt titullit në Formula 1, duke triumfuar me autoritet në Çmimin e Madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Teksas, duke qenë tani vetëm 1 pikë larg arritjes së qëllimit.
Sipas të gjitha gjasave, adoleshenti italian do të jetë kampioni i ri i këtij sporti fundjavën e ardhshme, më 1 nëntor në Meksikë, në Çmimin e Madh të radhës.
Kjo do ta bënte atë rekordmenin më të ri në të gjitha kohërat që ia arrin, në moshën 19-vjeçare.
Paraqitja më e mirë e Antonelit
Sipas shefit të skuadrës Mercedes, kjo në pistën në Ostin ishte paraqitja më e mirë e Antonelit gjatë gjithë karrierës së tij të shkurtër në Formula 1. Ai u nis nga vendi i parë, pasi fitoi provat zyrtare një ditë më parë, dhe arriti një sukses me dominim.
Sharl Lëklerk i Ferrarit doli i dyti me 13 sekonda vonesë, dhe Maks Verstapen i Red Bullit i treti me më shumë se 17 sekonda. Gjithsesi, Rasëll dhe Hamilton morën aq pikë sa të mos lejonin që Kimi të shpallej kampion që në Amerikë.
Renditja e Botërorit
Antoneli kryeson renditjen e Botërorit me 365 pikë, 123 pikë më shumë sesa vendi i dytë që mbahet nga shoku i tij i skuadrës, Xhorxh Rasëll, që është një pikë mbi Ljuis Hamiltonin e Ferrarit.
Për skuadra, Mercedesi kryeson kampionatin e Formula 1 me 607 pikë, ndaj 474 të Ferrarit.
Burimi: abcnews.al









