Ministria e Shëndetësisë njofton se po vazhdon punën për të përmirësuar kujdesin për pacientët me diabet, duke ofruar trajtime bashkëkohore, pajisje mjekësore ndihmëse dhe kushte më të mira për monitorimin e vazhdueshëm të sëmundjes.
Sensorët e glikemisë për pacientët me diabet të tipit 1
Sipas MSH-së, 800 persona të diagnostikuar me diabet të tipit 1 janë pajisur me sensorë për matjen e glikemisë. Kjo masë është marrë në bazë të Programit për Diabetin dhe rekomandimeve të Komisionit Kombëtar për Diabetin.
Ministria bën me dije se procedura e prokurimit publik për këtë qëllim ka përfunduar me nënshkrimin e kontratës në prill të këtij viti, e cila do të jetë në fuqi deri në prill të vitit 2028. Përmes prokurimit të fundit është siguruar gjithashtu terapi moderne me insulinë dhe medikamente antidiabetike, në sasi më të mëdha.
Gjatë majit dhe qershorit të këtij viti u bë zëvendësimi i të gjithë transmetuesve, sipas kërkesave të protokollit. Ndërkohë, pacientëve të përfshirë në Program iu dorëzuan sensorë në sasi të mjaftueshme për gjashtë muaj, deri në dhjetor të vitit 2026. Shpërndarja bëhet në barnatoret e insulinës, sipas regjimit të përcaktuar.
Kategoritë e përfituesve
Përfitues janë personat me diabet të tipit 1 deri në moshën 25 vjeç, gratë shtatzëna që vuajnë nga diabeti i tipit 1, personat e verbër me këtë diagnozë, si dhe pacientët me diabet të tipit 1 që kanë komplikime ose sëmundje të rënda shoqëruese.
MSH thekson se përzgjedhja e këtyre kategorive është bërë duke marrë parasysh fondet buxhetore në dispozicion, me synim garantimin e kontrollit të pandërprerë të nivelit të glikemisë dhe administrimin më të mirë të sëmundjes.
Burimi: www.albeu.com









