Një shtetas i Maqedonisë së Veriut, M.F. (44 vjeç), u ndalua në Francë pasi në mjetin e transportit që ai drejtonte u zbuluan dhe u sekuestruan 68 kilogramë kokainë. Aksioni u krye në stacionin e pagesës “Fontaine”, falë bashkëpunimit ndërkombëtar policor dhe shkëmbimit të menjëhershëm të informacionit operativ nga Byroja e Sigurisë Publike e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Burimi i informacionit dhe roli i njësive policore
Sipas njoftimit të MPB-së së Maqedonisë, të dhënat që çuan në këtë sekuestrim u siguruan nga Departamenti i Policisë Kriminale, përkatësisht Njësia për Trafikimin e Drogës. Informacioni iu përcoll autoriteteve franceze përmes Sektorit për Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar dhe Europolit.
Operacioni i dytë i suksesshëm brenda një muaji
MPB-ja bëri të ditur se ky është operacioni i dytë i suksesshëm ndërkombëtar brenda një muaji. Në aksionin e mëparshëm, të zhvilluar në bashkëpunim me policinë greke, u sekuestruan 324 kilogramë marihuanë.
Burimi: www.albeu.com









