Lamine Yamal vazhdon të dëshmojë se është një ndër emrat më të njohur të futbollit botëror. Ylli i Barcelonës kryeson renditjen e botuar nga Observatori i Futbollit CIES, duke lënë pas lojtarë si Michael Olise, Harry Kane dhe Kylian Mbappé.
Kjo listë u publikua pak para ceremonisë së “Topit të Artë 2026” në Londër, duke nxitur më shumë debate për futbollistët që kanë dalluar gjatë kohës së fundit. Megjithatë, renditja statistikore e CIES nuk vendos fituesin e trofeut, i cili përcaktohet përmes votimit.
Lamine Yamal në krye të renditjes
Yamal zë vendin e parë me 95.8 pikë, ndërsa pas tij vjen Michael Olise i Bayern Munichut me 93.9 pikë. Në vendin e tretë është Harry Kane me 90.5 pikë, duke formuar kështu një treshe ku bëjnë pjesë dy lojtarë të klubit gjerman.
Një nga emrat më interesantë në këtë listë është Lionel Messi. Edhe pse është 39 vjeç, ylli argjentinas renditet i katërti me 90.4 pikë, duke treguar se vazhdon të mbajë një nivel të lartë individual. Sipas analizës së CIES, ai do të ishte në krye të renditjes nëse nuk do të merrej parasysh niveli i kampionateve ku luajnë lojtarët.
Me të njëjtin rezultat prej 90.4 pikësh, Désiré Doué dhe Kylian Mbappé renditen përkatësisht në vendin e pestë dhe të gjashtë. Pas tyre vjen Khvicha Kvaratskhelia me 90.3 pikë, po aq sa mesfushori i Barcelonës, Pedri, i cili është i teti.
Dhjetëshen e parë e mbyllin Erling Haaland i Manchester Cityt dhe Pau Cubarsí i Barcelonës, të dy me nga 90 pikë.
Vëmendje të veçantë tërheq edhe pozicioni i Ousmane Dembélé, fituesit të edicionit të fundit të “Topit të Artë”, i cili renditet në vendin e 27-të në klasifikimin e CIES.
Dhjetëshen e parë sipas CIES:
- Lamine Yamal – Barcelona, 95.8 pikë
- Michael Olise – Bayern Munich, 93.9 pikë
- Harry Kane – Bayern Munich, 90.5 pikë
- Lionel Messi – Inter Miami, 90.4 pikë
- Désiré Doué – Paris Saint-Germain, 90.4 pikë
- Kylian Mbappé – Real Madrid, 90.4 pikë
- Khvicha Kvaratskhelia – Paris Saint-Germain, 90.3 pikë
- Pedri – Barcelona, 90.3 pikë
- Erling Haaland – Manchester City, 90 pikë
- Pau Cubarsí – Barcelona, 90 pikë
Për të hartuar këtë renditje, CIES merr në konsideratë tre elemente kryesore: kontributin individual të futbollistëve në fushë, nivelin e kompeticioneve ku ata luajnë dhe rezultatet e arritura nga skuadrat e tyre.
Edhe pse kjo analizë nuk është parashikim zyrtar i fituesit të “Topit të Artë”, ajo ofron një këndvështrim tjetër mbi performancën e yjeve të futbollit dhe nxjerr në pah emrat që kanë dalluar sipas kritereve statistikore.
Burimi: bordo.al









