Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kronikë

Haradinaj kërkon përgjegjësi për vrasjen e një gruaje

Haradinaj kërkon përgjegjësi për vrasjen e një gruaje
Foto: reporteri.al

Ish-kreu i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se pas vrasjes së një nëne, përgjegjësia nuk duhet t’u mbetet vetëm autorëve të krimit, por duhet të shtrihet edhe tek të gjitha institucionet që nuk kanë përmbushur detyrat e tyre.

Haradinaj kërkon hetime për përgjegjësitë institucionale

Haradinaj e ka quajtur këtë ngjarje të rëndë dhe tronditëse, duke theksuar domosdoshmërinë e hetimeve profesionale për të përcaktuar përgjegjësit, si dhe nevojën për një reflektim moral e politik nga ata që kishin përgjegjësi në këtë rast.

“Së pari, vrasja e një nëne është krim i rëndë. Ky krim duhet të marrë ndëshkimin ligjor për kryesit, por edhe të gjithë ata që nuk kanë qenë në nivelin e detyrës duhet të mbajnë përgjegjësi. Çdo instancë që ka pasur përgjegjësi në këtë rast duhet të mbajë përgjegjësi dhe t’i jepet ajo përgjegjësi. Është një rast i rëndë, është një lajm shokues dhe duhet të na kthjellë të gjithëve si shoqëri, është një reflektim për ndërgjegjësim, por edhe për instancat e rendit e të ligjit, që krime kaq të rënda të mos na ndodhin kurrë më”, ka thënë Haradinaj.

Kërkesa për hetime të brendshme dhe përgjegjësi politike

Ai ka theksuar se mekanizmat e rendit dhe të ligjit duhet të hetojnë funksionimin e brendshëm të institucioneve dhe rolin e secilit zyrtar të përfshirë në trajtimin e rastit.

“Po, çdo mekanizëm i rendit dhe i ligjit, policia i ka mekanizmat e vet që hetojnë funksionimin e tyre të brendshëm, edhe rolin e secilit në këtë temë. Prokuroria i ka mekanizmat e vet, instancat e tjera i kanë. Unë mendoj që duhet të ngrihen hetimet e brendshme të këtyre mekanizmave, që të gjendet cilat hallka kanë dështuar. Kush ka dështuar në kryerjen e detyrave të veta? Njëkohësisht, edhe një përgjegjësi politike, për shkak të ndjenjës morale, duhet të merret përsipër”, është shprehur ai.

Haradinaj ka vlerësuar se dorëheqjet, të vetme, nuk janë të mjaftueshme për zgjidhjen e problemit, duke kërkuar që hetimet të përcaktojnë se ku kanë dështuar mekanizmat institucionalë.

“Po, e thashë, vetëm ky moral i dorëheqjeve nuk e zgjidh krejt problemin, por diku po dështojnë mekanizmat e rendit dhe të ligjit. Hetimet profesionale janë të paanshme për të gjetur se cila hallkë nuk e ka kryer punën e vet, qoftë në marrëdhëniet me policinë, prokurorinë, hetuesit apo palët e tjera, duhet të gjendet nga Inspektorati i Policisë apo mekanizma të tjerë që mund ta hetojnë këtë. Por edhe një përgjegjësi politike është e nevojshme, për shkak se kjo vërtet ka marrë dimension të rëndë, pra kjo që ka ndodhur është shumë e rëndë”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka shtuar se personat që e ndiejnë përgjegjësinë morale dhe politike duhet të reflektojnë përmes veprimeve konkrete, duke përcjellë mesazhin se dështimet në raste të tilla nuk duhet të kalojnë pa pasoja.

“Pra, nuk po e them kush, por ata që e ndjejnë këtë përgjegjësi morale e politike do ta ndihmonin, pra përmes një reflektimi, një ndërgjegjësimi, edhe do ta përcillnin një porosi që kjo nuk falet, një lëshim, një mungesë serioziteti në një situatë të tillë nuk do të falet kurrë”, ka përfunduar Haradinaj.

Burimi: insajderi.org

Të fundit Të gjitha