Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Showbiz

Kush përgjigjet për kalvarin e vuajtjeve të Arlindës

Kush përgjigjet për kalvarin e vuajtjeve të Arlindës
Foto: privebruto.com

Kaloi dhjetë vjet në Shtetet e Bashkuara, u largua nga shtëpia, iu dogjën rrobat, u përball në gjykatë për kujdestarinë e djalit dhe paralajmëroi vdekjen e saj.

Kjo është historia prekëse e Arlinda Sylaj Zekajt, 49 vjeçe, e cila u vra në rrethana të tmerrshme në Pejë.

Detajet tronditëse të publikuara nga Gazeta Sinjali tregojnë vuajtjet e saj të gjata pas kthimit në Kosovë.

Beteja për djalin dhe kërkesat për mbrojtje

Pas ndarjes nga bashkëshorti, Arlinda nisi një përpjekje të gjatë për të siguruar kujdestarinë e djalit të saj të mitur. Ajo kërkoi ndihmë nga policia, gjykata dhe prokuroria, duke raportuar vazhdimisht situatën e rrezikshme në të cilën ndodhej.

Më 16 tetor, gjykata vendosi që djali t’i besohej përkohësisht Arlindës dhe që ajo të kthehej në shtëpinë e përbashkët.
Vetëm gjashtë ditë më pas, ajo i dërgoi Prokurorisë një letër që të ngjeth gjakun.

“Shpresoj të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të më jetë marrë jeta.”

Po atë ditë, autoritetet kishin vlerësuar se qëndrimi i saj në shtëpi nuk ishte i sigurt. Megjithatë, tri ditë më vonë, policia e ktheu pikërisht atje.

Vrasja dhe paralajmërimet e pafuqishme

Vetëm dhjetë minuta pas largimit të policëve, Arlinda u vra në rrethana të tmerrshme, sipas dyshimeve nga kunati i saj, me sëpatë.
Avokatja e saj, në një intervistë për Sinjalin, zbuloi edhe fjalët që Arlinda i kishte thënë para tragjedisë:

“E di që do të më vrasin mua, këta do të më vrasin.”

Dhe sot, pyetja është e tmerrshme: Çfarë duhet të bëjë një grua tjetër që shteti ta marrë seriozisht? Të paralajmërojë vrasjen e vet? Të lutet për mbrojtje? Apo të vritet që institucionet të zgjohen? Prokuroria e pranoi letrën. Shteti e dinte për rrezikun. Arlinda sot është e vdekur.

Kush do të japë llogari? /Prive By LS

Burimi: privebruto.com

Të fundit Të gjitha