Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Showbiz

Noah Wyle nga The Pitt shpallet njeriu më seksi në botë për 2026

Noah Wyle nga The Pitt shpallet njeriu më seksi në botë për 2026
Foto: bordo.al

Noah Wyle është shpallur “Mashkulli më seksi në botë” për vitin 2026 nga revista PEOPLE, duke fituar një nga titujt më të diskutuar në botën e showbiz-it. Aktori 55-vjeçar, i cili ka tërhequr sërish vëmendjen e publikut me rolin e doktor Robby në serialin “The Pitt”, ka pranuar se ky lajm e kapi plotësisht të papërgatitur.

“Mendova se ishte një shaka. As në një milion vjet nuk do ta kisha imagjinuar se do të më jepej një nder i tillë”, është shprehur Wyle, duke treguar se fillimisht nuk e kishte besuar lajmin.

Me humor, aktori ka shtuar se shpresonte që ky vlerësim t’ia ndryshonte jetën, përpara se të pranonte se çmimi do t’i sillte kryesisht ngacmime nga miqtë dhe familjarët.

Karriera e Noah Wyle

Për Wyle, ky titull vjen pas një karriere të gjatë në televizion, e cila nisi të fitonte vëmendje të madhe në vitin 1994, kur ai interpretoi doktor John Carter në serialin e njohur mjekësor “ER”. Më shumë se tri dekada më vonë, ai është rikthyer në qendër të vëmendjes me “The Pitt”, ku luan Michael “Robby” Robinavitch, një mjek në një spital të Pitsburgut, i cili përballet çdo ditë me situata të vështira profesionale dhe personale.

Seriali ka rezultuar një sukses për aktorin, i cili ka fituar dy çmime Emmy radhazi në kategorinë e aktorit më të mirë kryesor në një serial dramatik. Sezoni i tretë i “The Pitt” pritet të shfaqet në janar të vitit 2027.

Megjithëse publiku e ka kthyer në një nga emrat më të komentuar, Wyle ka pranuar se nuk ndihet gjithmonë rehat me vëmendjen që merr për pamjen e tij. Ai preferon të fshihet pas personazheve që interpreton dhe e ka më të vështirë të shfaqet para publikut si vetvetja, pa një skenar.

“Më pëlqen të futem në lëkurën e njerëzve të tjerë. Më pëlqen të interpretoj personazhe. Bëhem i vetëdijshëm për veten dhe ndihem në siklet. Është ende ndër ndërveprimet më të vështira për mua të flas pa një skenar, si vetvetja”, ka treguar ai.

Familja dhe reagimi i tyre

Por, nëse vetë aktori e priti me habi këtë vlerësim, bashkëshortja e tij, Sara Wells, duket se nuk kishte asnjë dyshim. Sipas Wyle, ajo ishte e kënaqur që ky titull reflektonte edhe shijen e saj në zgjedhjen e partnerit.

Ajo e sheh bashkëshortin si një njeri të mirë, një baba të përkushtuar dhe një partner që meriton të vlerësohet edhe përtej suksesit profesional. Gjatë një seti fotografik për PEOPLE, Sara e shoqëroi aktorin së bashku me vajzën e tyre 11-vjeçare, Frances, dhe qenin e familjes.

Madje, Wyle tregoi se në shtëpi kujdeset edhe për punët e përditshme, nga përgatitja e vezëve të preferuara të vajzës së tij, te pastrimi i kuzhinës dhe palosja e rrobave.

Reagimi i fëmijëve, nga ana tjetër, ishte disi më ndryshe. Djali i tij, Owen, e mori lajmin me prakticitet, duke i thënë se ky titull do t’ia vështirësonte jetën, por se ishte gjithsesi diçka e bukur. Vajza e madhe, Auden, nuk e besonte lajmin dhe, sipas aktorit, me siguri do ta ngacmojë për këtë për 50 vitet e ardhshme.

Noah Wyle ka tre fëmijë: Owen dhe Auden nga martesa e mëparshme me Tracy Warbin, si dhe Frances nga martesa me Sara Wells.

Edhe pse për shumëkënd ky titull mund të duket si një vlerësim që i erdhi me vonesë, për aktorin është një tjetër moment i rëndësishëm në një karrierë që ka njohur një tjetër kulm falë “The Pitt”. Pas viteve si doktor Carter në “ER”, Wyle duket se ka arritur të fitojë një brez të ri fansash, këtë herë si doktor Robby.

Burimi: bordo.al

Të fundit Të gjitha