Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kosova

Hoxhaj: Rezultatet e PISA-s zbulojnë dobësi serioze në arsim

Hoxhaj: Rezultatet e PISA-s zbulojnë dobësi serioze në arsim
Foto: pressonline.al

Sfidat dhe debati për arsimin parauniversitar

Komisioni për Arsim dhe Shkencë organizoi një diskutim me temën “Sfidat dhe prioritetet në arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës”, ku u trajtuan problemet dhe sfidat me të cilat përballet sistemi arsimor në vend.

Kryetari i Komisionit për Arsim dhe Shkencë, Enver Hoxhaj, tha se deri tani nuk ka pasur një debat të plotë mbi strategjinë e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Ai përmendi si çështje të rëndësishme vlerësimin e nxënësve, rezultatet e PISA-s, tekstet shkollore dhe lidhjen e arsimit me tregun e punës.

Hoxhaj theksoi se cilësia e arsimit varet në masë të madhe nga përgatitja dhe puna e mësimdhënësve në klasë.

“E di që nuk ka pasur një debat të mirëfilltë për atë që ka ndodhur me strategjinë e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, si duhet të ishte ajo, dhe ka një debat të gjerë për vlerësimin e nxënësve. Shumica e anëtarëve të këtij komisioni, të cilët i jam shumë mirënjohës, janë pjesë e fushës së arsimit. Dua të theksoj se kemi edhe dy ish-ministra të tjerë të arsimit, drejtorë të drejtorive komunale në të kaluarën dhe intelektualë që e njohin fushën nga brenda. Por ne e dimë se ajo që ndodh në shkollat tona varet shumë nga aftësia e mësuesit në klasë, nga përgatitja e tij, nga paga e tij dhe nga ajo që ndodh në procesin mësimor. Debati i gjerë lidhet me PISA-n dhe rezultatet e saj, të cilat, jo sepse janë vlerësim i jashtëm ndërkombëtar në momente të caktuara, por sepse e pasqyrojnë në mënyrë serioze dobësitë e arsimit. Po kështu, çështja e teksteve shkollore është temë e përhershme, ashtu si lidhja e arsimit me tregun e punës dhe fakti se sa shkolla i përgatisin të rinjtë dhe të rejat për tregun e punës”, tha Hoxhaj.

Prioritetet e strategjisë së re

Ndërkaq, zëvendësministri i Arsimit, Përparim Kryeziu, duke folur për prioritetet e strategjisë së re, tha se edukimi në fëmijërinë e hershme do të jetë një nga katër shtyllat kryesore të saj.

Ai theksoi se ky edukim është i rëndësishëm si për zhvillimin socio-emocional të fëmijëve, ashtu edhe për rritjen e cilësisë së arsimit në shkollat e mëvonshme.

“Meqenëse po flasim për arsimin parauniversitar, më lejoni të përmend shkurtimisht ato që ne konsiderojmë se do të jenë katër shtyllat e strategjisë së re. Po nisemi me edukimin në fëmijërinë e hershme. Ky edukim vlerësohet si jashtëzakonisht i suksesshëm, jo vetëm për zhvillimin e aftësive socio-emocionale të fëmijëve, por edhe për rritjen e cilësisë në shkolla. Studimet tregojnë se nxënësit që kanë ndjekur çerdhet në fëmijërinë e hershme performojnë vazhdimisht më mirë se fëmijët që nuk e kanë pasur këtë mundësi. Prandaj, në këtë drejtim ministria do të ndjekë dy rrugë apo drejtime. Njëra është zgjerimi i rrjetit të çerdheve publike, por edhe i organizimeve të tjera”, theksoi Kryeziu.

Burimi: pressonline.al

Të fundit Të gjitha