Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të takohet të hënën, në orën 11:00, për të caktuar rendin e ditës së seancës së radhës plenare.
Ndër pikat e propozuara për seancën e ardhshme janë shqyrtimi i parë i tre projektligjeve: Projektligji për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Projektligji për Regjistrimin e Bujqësisë dhe Projektligji për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë.
Deputetët pritet të shqyrtojnë gjithashtu Raportin e Auditorit të Përgjithshëm mbi auditimin e Buxhetit të Kosovës për vitin 2025.
Rendi i ditës parashikon edhe propozimet e grupeve parlamentare të LVV-së, PDK-së dhe Listës Serbe për zëvendësimin ose emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.
Po ashtu, në rend dite është edhe shqyrtimi i propozimeve dhe kërkesave.
Burimi: pressonline.al









