PARIS, 2 nëntor /ATSH-DPA/ – Forcat e qendrës politike në Francë janë përçarë lidhur me zgjedhjen e një kandidati të përbashkët, që do t’i del përballë kandidates së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Kërkesa për një kandidat të përbashkët
Ish-kryeministri Gabriel Attal kërkon organizimin e zgjedhjeve paraprake mes partive, me qëllim përzgjedhjen e një kandidati të vetëm.
Në një intervistë për televizionin TF1, ai tha se krijimi i një aleance të tillë është i domosdoshëm dhe se votimi për përzgjedhjen e kandidatit duhet të zhvillohet sa më shpejt.
Ish-kryeministri tjetër, Edouard Philippe, i cili gjithashtu synon presidencën, e ka kundërshtuar këtë ide. Sipas tij, një kandidat i përbashkët do t’i ngatërronte votuesit, pasi kandidatët e mundshëm të qendrës dhe të qendrës së djathtë kanë programe dhe qëndrime të ndryshme.
Attal argumentoi se, përtej dallimeve, këta kandidatë ndajnë vlera të përbashkëta. Ai paralajmëroi se një raund i dytë mes Jean-Luc Mélenchon nga e majta dhe Marine Le Pen do të ishte shumë më i keq se çdo mosmarrëveshje mes kandidatëve të qendrës.
Sondazhet e fundit
Sondazhet e fundit tregojnë se Le Pen udhëheq në raundin e parë, me mbështetje nga 32% deri në 38%, varësisht nga instituti që kryen sondazhin dhe kandidatët që përfshihen në garë.
Në vendin e dytë renditet politikani i njohur i së majtës, Jean-Luc Mélenchon, me 15% deri në 20% të mbështetjes.
Ndërkohë, kandidatët e qendrës dhe të qendrës së djathtë kanë humbur mbështetje gjatë periudhës së fundit. Edouard Philippe vazhdon të jetë më i mbështeturi mes tyre, me deri në 16%. Në nivele të ngjashme renditet edhe socialdemokrati Raphaël Glucksmann.
Zgjedhjet presidenciale në Francë do të zhvillohen në dy raunde, në muajt prill dhe maj të vitit të ardhshëm.
Ideja për paraqitjen e një kandidati të vetëm, që do të përfaqësonte forcat nga lëvizja “Renaissance” e presidentit Emmanuel Macron deri te konservatorët, është diskutuar prej kohësh. Megjithatë, ajo nuk kishte marrë shumë mbështetje deri kur Gabriel Attal, drejtues i partisë “Renaissance”, u shpreh hapur në favor të saj. //a.i/
Burimi: ata.gov.al









