Pas katër vitesh punimesh dhe një projekti të gjerë rinovimi, Muzeu Wilson në Cheltenham, Gloucestershire, në Angli, ka rihapur krahun e tij kryesor për vizitorët, duke sjellë një qasje të re në paraqitjen e historisë lokale dhe trashëgimisë kulturore.
Muzeu, i themeluar në vitin 1899, ka në koleksion mbi 250 mijë objekte, shumë prej të cilave lidhen me historinë e rajonit. Për shkak të numrit të madh, ekspozitat nuk do të mbeten të pandryshuara, por do të ndryshohen rregullisht, duke u dhënë vizitorëve mundësinë të zbulojnë pjesë të ndryshme të koleksionit.
Përfshirja e publikut në koleksion
Një element i veçantë i këtij transformimi është përfshirja e publikut në zgjedhjen e përmbajtjes muzeale. Përmes projektit “BIG Museum Project”, institucioni mori rreth 60 mijë përgjigje nga qytetarët, të cilët ndanë idetë dhe sugjerimet e tyre për objektet dhe historitë që dëshironin të shihnin të paraqitura në hapësirat ekspozuese.
Drejtoresha ekzekutive e muzeut, Jessica Brewster, tha se përgjigjet treguan interesin e publikut për ekspozita të organizuara rreth temave të caktuara, përtej një renditjeje të zakonshme kronologjike. Sipas saj, ekspozita e re fillon me origjinën dhe zhvillimin e Cheltenhamit dhe vazhdon deri në periudhën e Regjencës.
“Ky shënon fillimin e një kapitulli të ri në eksplorimin e historisë sonë lokale përmes hapësirave ekspozuese të muzeut”, tha Brewster.
Galeria e komuniteteve
Rinovimi nuk kufizohet vetëm te mënyra e paraqitjes së koleksionit. Muzeu ka paraparë që çdo gjashtë muaj të ndryshohet përmbajtja e një prej galerive, duke ia kushtuar atë një komuniteti tjetër të Cheltenhamit. Komuniteti i parë i zgjedhur është një grup tradicional i vallëzimit kinez, i udhëhequr nga mësuesja e vallëzimit Juju.
Përmes vallëzimit, grupi synon t’u japë jetë objekteve të zgjedhura dhe të pasqyrojë përvojat e komunitetit që përfaqëson. Juju shprehu entuziazëm për këtë mundësi dhe theksoi rëndësinë e përfshirjes së komuniteteve në rrëfimin e historive të tyre.
Projekti, për të cilin janë shpenzuar rreth 600 mijë funte, është financuar nga National Lottery Heritage Fund. Drejtori i fondit për Anglinë, Stuart McLeod, e përshkroi transformimin si shembull se si trashëgimia mund të rikonceptohet për të qenë më e afërt dhe gjithëpërfshirëse për publikun.
Rihapja e muzeut u prit me interes të madh, ndërsa fundjava e inaugurimit tërhoqi mijëra vizitorë. Përmes ekspozitave që do të ndryshojnë dhe përfshirjes së drejtpërdrejtë të komuniteteve, Muzeu Wilson synon të krijojë një hapësirë ku historia nuk paraqitet vetëm si trashëgimi e së kaluarës, por edhe si një rrëfim që vazhdon të ndërtohet nga njerëzit që jetojnë sot në Cheltenham./KultPlus.com
kultplus.com










