Lajmi i pasaktë për 300 të rinj
Një lajm i qarkulluar në disa portale shqiptare, sipas të cilit rreth 300 të rinj do të kishin përfunduar në urgjencën e QSUT-së pas konsumimit të një substance narkotike, e hedhur dyshohet në pije gjatë festimeve të Halloween-it në Tiranë, rezulton i pavërtetë.
Shefi i Toksikologjisë në QSUT, Andrin Tahiri, është ai që i ka hedhur poshtë këto pretendime. Ai sqaroi se nuk ka pasur një fluks të tillë pacientësh dhe as raste të konfirmuara të përdorimit të të ashtuquajturave “droga të përdhunimit”.
Deklaratat e Tahirit për ditën e festave
Sipas Tahirit, gjatë ditës së festimeve janë paraqitur disa të rinj për shkak të abuzimit me alkoolin, por situata nuk ka qenë aspak në përmasat e raportuara. Ai theksoi se asistencë e mirëfilltë toksikologjike është kërkuar vetëm për një rast, duke e cilësuar lajmin për 300 të rinj si tërësisht të pavërtetë.
“Në vijim të lajmit të fundit për paraqitjen e një fluksi të ri të rinjsh në urgjencën e QSUT-së për asistencë toksikologjike, them se lajmi është i rremë. Pra, lajmi për 300 të rinj është “fake”.
Lajmi ka të bëjë me abuzimin me alkoolin dhe me “rape drug”. Ajo ditë ka qenë ditë festash, kur fluksi zakonisht rritet, por jo në ato përmasa dhe jo për shkak të “rape drugs”. Është një drogë e re që shkakton amnezi të plotë te ai që e përdor ose abuzon me të. Ajo nuk kundërshtohet dhe quhet droga e përdhunimit. Raste të tilla nuk kemi pasur.
Për ironi të fatit, mund t’ju them që atë ditë asistencë e mirëfilltë toksikologjike është kërkuar vetëm për 1 rast”, tha doktor Andrin Tahiri.
Burimi: kohajone.com










