Operacioni dhe të arrestuarit
Policia e Italisë ka arrestuar 644 të rinj, ndër ta 69 të mitur, gjatë një operacioni të gjerë kundër kriminalitetit, i zhvilluar gjatë dy javëve të fundit në mbarë vendin.
Veprimi, i koordinuar nga strukturat policore në 106 njësi hetimore, u përqendrua kryesisht në zona të njohura për shitjen e drogës dhe për jetën e natës.
Gjithsej, policia kontrolloi mbi 236 mijë të rinj, nga të cilët më shumë se 23 mijë ishin të mitur.
Veprat penale dhe sekuestrimet
Krahas të arrestuarve, 1695 persona të tjerë, përfshirë 373 të mitur, u denoncuan penalisht në gjendje të lirë. Veprat penale për të cilat dyshohen përfshijnë tentativën e vrasjes, plagosjen, përleshjet fizike, grabitjen, zhvatjen, vjedhjen, trafikun e drogës dhe mbajtjen e armëve pa leje.
Sipas policisë italiane, disa nga të dyshuarit kishin publikuar edhe në rrjetet sociale veprimet e tyre të dhunshme. Gjatë kontrolleve u sekuestruan mbi 244 kilogramë lëndë narkotike, ndër to 69,4 kilogramë kokainë, rreth 175 kilogramë kanabis, si dhe sasi heroine dhe drogash sintetike.
Policia gjeti gjithashtu 28 armë zjarri, 210 armë të ftohta, mjete shpërthyese dhe sende të tjera të përdorura për dhunë.
Si prova materiale, u sekuestruan gjithashtu rreth 270 mijë euro në para të gatshme, bizhuteri ari, telefona celularë, pajisje elektronike dhe sende që dyshohen se janë vjedhur.
Burimi: lajmifundit.al










