Arrestimi i drejtorit të spitalit
Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Gëzim Berisha, është arrestuar në Kosovë pasi akuzohet për dhunimin e bashkëshortes.
Sipas raportimeve, Berisha e kishte kërcënuar bashkëshorten duke i thënë se ajo do ta kishte të njëjtin fat si Arlinda Zekaj. Kjo e fundit u vra nga kunati i saj me sëpatë, pas një kalvari të gjatë dhune në familje dhe përpjekjesh për t’u bashkuar me djalin e mitur, të cilit nuk i lejohej ta takonte.
Gjykata Themelore e Prishtinës i ka caktuar Gëzim Berishës masën e arrestit shtëpiak, pasi ai u ndalua mbrëmjen e djeshme.
Vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni për Çështje Penale ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit G.B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Dhuna në familje, sipas nenit 248, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Gjyqtarja e procedurës paraprake, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, e refuzoi kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, duke e konsideruar atë “të pabazuar”. Me anë të një aktvendimi, ajo caktoi ndaj tij masën e arrestit shtëpiak për një muaj.
“Gjykata ka obliguar Stacionin Policor në Vushtri ta zbatojë masën e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit G.B. Stacioni Policor në Vushtri është obliguar gjithashtu të verifikojë zbatimin e kësaj mase dhe, në rast moszbatimi nga i pandehuri, të njoftojë menjëherë gjyqtaren e procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Prishtinë.”
Gjykata arriti në përfundimin se janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit G.B. Sipas gjykatës, kjo masë është e mjaftueshme për të parandaluar rrezikun e përsëritjes së veprës penale, për të mbrojtur të dëmtuaren dhe për të siguruar zhvillimin e rregullt të procedurës penale. Gjykata e mbështet këtë vlerësim edhe në faktin se i pandehuri dhe e dëmtuara nuk jetojnë më në bashkësi familjare, ndërsa masa e arrestit shtëpiak është caktuar në pronën ku e dëmtuara nuk banon, duke shmangur kështu kontaktin e drejtpërdrejtë ndërmjet tyre. Sipas komunikatës së Gjykatës, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
Burimi: lajmifundit.al










