Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Spahiu: Arlind Qori e largoi Berishën dhe PD nga protesta

Spahiu: Arlind Qori e largoi Berishën dhe PD nga protesta
Foto: shqiptarja.com

Juristi Kreshnik Spahiu ka thënë se kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ka një meritë historike, sipas tij, pasi e largoi kryedemokratin Sali Berisha nga bulevardi. Ai tha gjithashtu se Qori po tenton të marrë protestën që zhvillohet prej muajsh në kryeqytet.

Komentet e Spahiut për Arlind Qorin

Spahiu i bëri këto komente në një lidhje për emisionin “Sot Live në Shqipëri” me gazetarin Nertil Agalliu në Report Tv. Ai tha se Qori është sot konkurrenti kryesor i Partisë Demokratike për të marrë “flamurin” e opozitës.

“Unë nuk them që partitë nuk kanë meritë. U bëj thirrje të gjithëve ta vendosin Arlind Qorin në piedestal, për ta bërë një monument historik. Ai ka hyrë në historinë politike, pasi e nxori Berishën 6 muaj jashtë bulevardit. Qori po tregon vitalitet, qëndresë dhe forcë. Ai po e largon nga bulevardi edhe PD-në, partinë më të vjetër opozitare. Qori duhet marrë parasysh. Ai ka vendosur kandidaturën për Tiranën dhe kam bindjen se do marrë më shumë vota se PD. Është sot rreziku kryesor i llogores opozitare për të marrë flamurin e opozitës”, tha, ndër të tjera, Spahiu.

Spahiu: Arlind Qori e largoi Berishën dhe PD nga protesta

Spahiu për protestat dhe rolin e partive

Duke i këshilluar protestuesit të krijojnë partinë e tyre politike për t’u përfaqësuar në zgjedhje, Spahiu tha se BE nuk i mbështet protestat, për shkak të dhunës që është ushtruar gjatë tyre.

Spahiu tha gjithashtu se kushdo që mbështet protestat duhet t’u këshillojë protestuesit të shmangin aktet e dhunshme, me qëllim rritjen e mbështetjes, si nga populli ashtu edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

“Studentët duhet ta kuptojnë një gjë: ose partitë që janë mes tyre janë një pengesë e fortë, ose duhet zgjedhur që njëra prej tyre të jetë lidere e protestës. Pra, ose pranojnë bashkëpunimin, ose kuptojnë që partitë janë pengesë për hapin e radhës. Efekti i rritjes së pjesëmarrjes me militantë partiakë, qofshin nga partitë e vjetra apo të reja, është afatshkurtër. Afatgjatë është pengesë. Nga ana tjetër, komuniteti ndërkombëtar nuk mund të jetë pro protestës. Kushdo që është pro protestës duhet t’u këshillojë protestuesve të mos zhvillojnë protesta të dhunshme, sepse Evropa po kërcënohet nga këto protesta. Studentët duhet të krijojnë partinë e tyre politike, nëse duan të shkojnë drejt një modeli të suksesshëm. Duhet krijuar një lëvizje e re, përndryshe do të jenë viktimë e shkopinjve që partitë e vjetra vendosin nën rrota”, shtoi Spahiu.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha